Rrënohet Hotel “Adriatiku” në Mitrovicë

Ish-hoteli dikur i famshëm “Adriatiku” në qendër të Mitrovicës nga e shtuna e javës së kaluar ka filluar të rrënohet, derisa punimet për rrënim po vazhdojnë edhe sot

Ky hotel ka vite që nuk ka funksionuar.

Hoteli i ndërtuar para vitet 80-ta në pronën e komunës së Mitrovicës ka qenë pikë e nxehtë ndërmjet pronarit të vetë hotelit dhe komunës, pasi deri në momentin e shembjes së tij për arsye të ndryshme nuk ka filluar as renovimi e as rrënimi i këtij hoteli.

Rrënimi i hotelit po bëhet nga kompania “Leonardi” nga Ferizaj, pas më shumë se një vit prej kur ishte shembur një pjesë e këtij hoteli.

Drejtori i inspeksionit në komunën e Mitrovicës Hysni Ahmeti ka thënë për KALLXO.com se punët e rrënimit janë duke i monitoruar nga kjo drejtori dhe se komuna ka lëshuar leje qysh më herët për rrënimin e këtij hoteli.

“Komuna ka lëshuar lejen që më herët për rrënimin e këtij hoteli, që kur ka ndodhur aksidenti e ka pasur vendimin që për shkaqe sigurie duhet me u rrënuar, ndërsa rrënimi deri sot nuk ka filluar për shkak se derisa është gjete kompania e përshtatshme për rrënim që mos me u shkaktu dëme përreth për banorët. Kompania që po kryen punët e rrënimit është është kontraktuar nga vet pronarët e hotelit “, ka thënë Ahmeti.

Ndërsa i pyetur se kush është pronar i hotelit, Ahmeti ka thënë nuk është në dijeni dhe se detaje tjera dhe duhet kërkuar në Drejtorinë e Urbanizmit.

KALLXO.com ka provuar qe tre ditë me radhë të marrë një prononcim nga drejtori i Urbanizmit Besnik Beka dhe komuna e Mitrovicës rreth pronësisë dhe detajeve tjera lidhur me objektin e hotel “Adriatiku” por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

“Drejtori i urbanizmit është i zënë me punë dhe nuk ka kohë të jap ndonjë përgjigje rreth kësaj çështje”, ka thënë shkurt për KALLXO.com përmes telefonit një zyrtar për informim nga komuna.

Në prill të vitit të kaluar nga shembja e një pjesë të këtij hoteli kishte vdekur një 20 vjeçar, duke mbetur nën rrënoja, ndërsa po punonte në rikonstruksionin e hotelit.