Pesë gra shtatzëna të infektuara me COVID-19, flet drejtori i Klinikës Gjinekologjike në QKUK - VIDEO

Shqetësues është fakti se në Kosovë brenda ditës po regjistrohen mbi 700 persona të infektuar me COVID-19.

Pandemia ka prekur edhe gratë shtatzëna, aktualisht në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në QKUK pesë gra shtatzëna kanë rezultuar pozitivë me coronavirus.

Këtë e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili për KALLXO.com.

“Aktualisht i kemi gjashtë shtatzëna të hospitalizuara prej tyre pesë kanë rezultuar Covid pozitivë, kurse një tjetër është në pritje të rezultatit” , tha Ismaili për KALLXO.com.

Drejtori tutje tregoi se gjendja e tyre është stabile. Edhe pse pandemia SARS- CoV-2 ka prekur gra shtatzëna drejtori thotë se nga të gjitha testimet për COVID-19 të bëra javëve të fundit tek foshnjat asnjë prej tyre nuk ka rezultuar pozitiv.

“Prej 70 pacientëve, 33 e kanë përfunduar lindjen dhe tek të gjitha foshnjat është marrë testi për COVID- 19 dhe ka rezultuar negativë, nuk është vërejtur se infeksioni është përcjellë nga nëna tek fëmija”, u shpreh ai.

Drejtori gjithashtu theksoi se nuk ka gra shtatzëna të infektuara në gjendje të rëndë, andaj edhe i kanë kursyer nga terapitë e rënda për COVID-19.

“Të gjitha shtatzënave të cilët janë trajtuar në repartin tonë janë marrë terapi vitaminoze, është marrë antikuagulantë, antipiretik si dhe antibiotik me përjashtim të terapisë antivirale terapia tjetër është përdorur tek shtatzënat në Klinikën tonë” , theksoi Ismajli.

Sa i përket kapaciteteve të Klinikës ai thotë se një dhomë ka tre shtretër dhe mundohen që shtratin e mesëm të lënë të lirë për shkak të distancës ndërmjet pacienteve.

“Dhomat janë të përbëra nga tre shtretër, kur kemi mundësi shtratin e mesëm e lëmë të lirë”, tregoi tutje.

Në anën tjetër ai thotë se gjatë kohës së pandemisë kanë punuar me kapacitete të plota.

“Gjatë tërë pandemisë ne i kemi pas rreth 200 paciente të hospitalizuara, dhe numri i lindjeve ka qenë diku rreth 30 lindje brenda 24 orëve, ne kemi punuar me një kapacitet të plotë”, theksoi ai.

Ismaili gjithashtu theksoi se aktualisht janë 195 paciente të shtrira në gjinekologji, ndërsa ai tha se janë të lirë 20 deri në 30 shtretër të tjerë.

Klinika Obstetrike Gjinekologjike ka 54 gjinekologë, drejtori  thekson se kanë nevojë për shtim të stafit në këtë kohë pandemi pasi që për momentin dy gjinekologë dhe një specializant janë të infektuar me COVID-19.

“Ne kemi bërë kërkesa (për rritje të stafit) na ka sjellë ministria me disa konkurse nga Banka Botërore dhe nga punësimi i Qeverisë mirëpo tek ne në kohën e fundit aq sa kam njohuri i kanë propozuar dy gjinekolog me ardhë por po presim nënshkrimin e kontratave. Kish qenë mirë që edhe në këtë kohë pandemie të rritet numri i gjinekologëve”, ka treguar Ismaili.

Kujtojmë se në Kosovë deri më tani janë infektuar 27,851 persona të infektuar me coronavirus, 16,862 janë shëruar ndërsa 798 kanë vdekur si pasojë e pandemisë.