Ministri Reçica: Ende duhet bërë shumë në parandalimin e dhunës në familje

Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, tha se çështja e dhunës kundër gruas mbetet një prej formave më të përhapura të dhunës.

Ministri tha se dhuna ndaj grave shpesh mbanë gratë larg kontributit të tyre për komunitetin, për zhvillimet sociale, ekonomike, politike, e të tjera.

“Ende duhet bërë shumë në parandalimin e kësaj dukurie. Qeveria e Kosovës ka emëruar tani më koordinatorin nacional kundër dhunës në familje”, tha ai.

Reçica, tha se bazuar në të dhënat e regjistruara nga zyra e koordinatorit nacional rezulton se ka ngritje të rasteve të viktimave në dhunë në familje që bazuar në vlerësimet e tyre ky numër është rritur edhe si rezultat i Covid 19.

“Ministria e Punës ka krijuar dhe vazhdon të forcoj partneritetin me OJQ të licencuara të cilat kanë në programin e tyre strehimin, trajtimin, përkrahjen, mbështetjen dhe fuqizimin e viktimave të dhunës në familje”, tha ai.

Këto deklarata ministri i bëri gjatë debatit parlamentar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje me rastin e fushatës senzibilizuese në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore.