Komisioni për Punë të Jashtme kërkon strategji për 5 vendet evropiane mosnjohëse

Komisioni për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme ka diskutuar për strategjinë e diplomacisë parlamentare për 5 vendet e bllokut të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Greqia është në mesin e këtyre 5 vendeve së bashku me Spanjën, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Haki Abazi, kryetar i këtij komisioni theksoi rëndësinë e njohjes nga këto vende, duke kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës raport për secilin nga këto vende.

“Angazhimi ynë duhet të jetë maksimal drejtë marrjes së njohjes nga këto vende. Me ministren të shohim a ekziston analiza për 5 vendet veç e veç, në mënyrë që me pa cila është narrativa sesi duhet qasë këtyre vendeve”, tha ai.

Sipas Abazit edhe Komisioni mund të mbledhë informacione se çfarë ka ndodhur në këtë drejtim.

“Do t’i vazhdojmë diskutimet lidhur me këto 5 vende, pasi të pajisemi me informacion nga qeveria apo edhe të gjenerojmë vet informacione si komision”, tha ai.

Deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj tha që Kosova duhet të zhvilloj takime bilaterale me këto vende.

“Ne duhet të kërkojmë që të angazhohet BE-ja sepse ato janë pjesë e BE-së, kjo duhet të jetë kërkesë në secilën tavolinë të bisedimeve. Vitin e fundit nuk kemi mundur të zhvillojmë takime bilaterale edhe si Komision për shkak të pandemisë. Duhet parë mundësinë pas pushimeve, me pas takime bilaterale mes të komisioneve parlamentare”, tha ajo.

Kadrijaja, kritikoi ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla për deklaratat e saj për mosplotësime të kushteve nga Kosova për mosliberalizim të vizave.

“Çfarë qasje është ajo kur vet BE-ja ka deklaru që janë pranu kushtet. Nuk duhet me bo gabime të tilla. Unë kurrë nuk do të kisha pas një qasje të tillë në takim me zyrtarë të lartë. Kjo është një qasje e gabuar”, tha ajo.

Ariana Musliu-Shoshi deputete nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tha që këto vende nuk e njohin Kosovën për shkak të problemeve të tyre të brendshme.

“Këto vende nuk na njohin për shkak të problemeve të brendshme që i kanë. Në Greqi ne kemi Zyre Ndërlidhëse, edhe me vendet e tjera nuk është që nuk kemi pasur bashkëpunim. Ne duhet ta ngrisim nivelin sa i përket njohjes, mendoj që duhet ta kemi një strategji me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës sesi duhet të kemi strategjinë”, tha ajo.

Dimal Basha deputet nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kërkoi që deputetët e këtyre vendeve të ftohen ta vizitojnë Kosovën.

“Unë mendoj që grupet parlamentare dhe deputetët me i pru me ardh me pa realitetin e vendit tonë. Si komision mendoj që si ide duhet t’i thërrasim vendet që janë të pavendosura për çështjen e liberalizimit si dhe 5 vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, duhet të kemi një seminar 3 ditor”, tha ai.

Pas diskutimit për 5 vendet evropiane vendet mosnjohjes, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu- Shoshi kërkoi që të ftohen në raportim për dialogun në Bruksel kryeministri, Albin Kurti, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Kjo kërkesë e deputetes Musliu-Shoshi nuk morri votat e deputetëve të Komisionit.