Bislimi u largua nga Komisioni gjatë kohës sa kishte pyetje nga opozita, këshilltari i tij arsyeton veprimin
Në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë raportoi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi lidhur me procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, derisa opozitën i nervozoi largimi i tij gjatë kohës sa ata ende po bënin pyetje.
Besnik Bislimi paraprakisht në fillim të mbledhjes së Komisionit deklaroi se nuk do rrinte shumë pasi ka seancë në Kuvend.
Bislimi u largua nga Komisioni gjatë kohës kur deputetja e PDK-së, Ariana Musliu- Shoshi kishte pyetur Besnik Bislimin lidhur me të dhënat për të drejtat e njeriut dhe disa deklarime të Andin Hotit.
“Kur i mungon arguementi lëshohet në gënjeshtra, Andin Hoti ka thënë se nuk i ka të dhënat për të drejtat e njeriut sepse ato i keni ju dhe nuk po ja derivoni, ne kemi dërgu kerkesë që ju e keni refuzuar sepse nuk jeni i përgjegjshëm”- u shpreh Musliu- Shoshi teksa Bislimi po dilte nga salla.
Bislimi u largua me arsyetimin se duhet të shkojë në seancë të Kuvendit.
Lidhur më këtë gjë, Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi u shpreh se ai dëgjoi me vëmendje të gjitha pyetjet e opozitës dhe ofroi përgjigje për to.
“Ai i dëgjoi me vëmendje të gjitha pyetjet e drejtuara dhe ofroi përgjigje në to, por çuditërisht në deputetët e opozitës ekzistonte ngutia për të argumentuar e jo ajo për të dëgjuar. Sikur të dëgjonin, ndoshta edhe do kuptonin”- shkroi Kadiu.
Sipas tij, raporitme e tilla janë për të marrë përgjije e jo për shfaqje.
“Raportimet ku ftohet zëvendëskryeministri, janë tryezë diskutimi, për të marrë përgjigje në lidhje me procesin, jo për të shfrytëzuar kohën për shfaqje/show para kamerave. Kryetarja e Komisionit e shpalli mbledhjen e përfunduar, andaj zëvendëskryeministri Bislimi nuk e ka lëshuar e as nuk është larguar nga mbledhja, por ajo ka përfunduar, ashtu siç qenë e paraparë të zgjasë deri në ora 10:00, për shkak të fillimit të seancës parlamentare”- ka shkruar Kadiu.
Termi për të pagjeturit, Bislimi i thotë opozitës se po i referohen me deklarime të Petkoviqit