VIDEO - Përplasje në Kuvend mes pozitës dhe opozitës, Besnik Bislimi nuk shkon fare

Rreth 15 minuta pasi erdhën në sallë, deputetët e opozitës e lëshuan mbledhjen Komisionit për Punë të Jashtme për shkak të mungesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, gjë që shkaktoi mungesë të kuorumit.

Prezent në sallë nuk ishte as zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi i cili pritej të raportonte lidhur me dialogun Kosovë – Serbi.

Kryetarja e këtij komisioni Arbëreshë Kryeziu- Hyseni, e vetmja e pranishme nga Lëvizja Vetëvendosje tregoi arsyet pse zëvendëskryeministri nuk ishte aty.

Ajo tha për shkak të mbledhjes së Qeverisë, Bislimi i kishte thënë se do të vinte sapo të bëhej kuorumi në komision.

“Bislimi ka qenë në komunikim me mua gjithë kohës dhe meqenëse ka pas mbledhje të Qeverisë më ka thënë me njofto kur të behet kuorumi, unë vij për 2 minuta aty. Bislimi i është përgjigjur gjithmonë pozitivisht ftesave të komisionit”- tha Kryeziu – Hyseni.

 

Deputetja Arbëreshë Kryeziu- Hyseni, foli edhe për mungesën e anëtarëve tjerë, deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që nuk ishin prezent në komision.

“Ka pasur arsyetim. Një deputete e jona është jashtë vendit për trajtim shëndetësor. Dhe meqenëse ka deputetë që udhëtojnë ndoshta kanë pasur probleme me trafikun” – shtoi ajo.

KALLXO.com ka kërkuar nga kabineti i zëvendëskryeministrit Bislimi një përgjigjen lidhur me mungesën e tij në komison.

Pa dhënë informacione pse nuk ka qenë i pranishëm në ora 10:00, këshilltar për Media i Bislimit, Klisman Kadiu tha “ka patur mungese kuorumi, andaj mbledhja nuk u mbajt e nuk u realizua”.

Mungesa e Bislimit dhe deputetëve të LVV, shkaktoi përplasjes mes opozitës dhe kryetares së komisionit.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica – Xhelili tha se Bislimi e kishte shtyrë orarin e raportimit dy herë sot, duke e quajtur të papranueshme.

Kica – Xhelili ia përmendi kryetares së komisionit rezervat shtetërore dhe faktin që nuk kanë ardhur në komision.

Deputetja e LVV-së, Arbreshë Kryeziu i a ktheu shkurt “Shko te LDK adresoi këto, aty ku të dëgjojnë”, derisa po dilte nga salla.

Përveç kryetares, katër deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje janë anëtar në këtë komision,

Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme ka këtë përbërje: Kryetare Arbëreshë Kryeziu – Hyseni (LVV), dhe anëtar Xhavit Haliti (PDK), Adelina Grainca (LVV), Yllza Hoti (LVV), Gazmend Gjyshinca (LVV), Fitore Pacolli – Dalipi (LVV), Ariana Musliu – Shoshi (PDK), Doarsa Kica Xhelili (LDK), Time Kadrijaj (AAK), dhe Bahrim Sabani (Koalicioni Vakat).