Ilustrim

Gjykata: Nuk ka prova se janë planifikuar sulme terroriste mbi policinë në Prishtinë dhe burgun në Shkup

Grupi që pretendohej se tentoi të organizojë sulm terrorist mbi burgun e Idrizovës në Maqedoni dhe në disa vende të Kosovës janë shpallur të pafajshëm për këtë akuzë ndërsa janë dënuar vetëm për vepra penale të armëmbajtjes pa leje.

Prokuroria pretendonte se Ardian Mehmheti, Nuredin Sylejmani, Genc Selimi, Valon Shala, nga muaji korrik 2013 e deri në muajin nëntor 2013, kishin përgatitur sulme terroriste në Kosovë e Maqedoni, ndaj objekteve të sigurisë.

Sipas aktakuzës së plotësuar dhe precizuar, ata fillimisht dyshohet se kanë përgatitur sulme terroriste ndaj burgut te Idrizovës në Maqedoni, me qëllim të lirimit nga burgu të të dënuarit Shukri Aliu dhe më pas ndaj Stacionin Policor në Prishtinë. Pas një procesi të gjatë gjyqësor, Gjykata e Prishtinës ka gjetur se nuk ka prova se grupin ka planifikuar sulme terroriste ndërsa dënimet janë shpallur vetëm për armëmbajtje pa leje dhe shitje armësh.

Kështu Ardian Mehmeti që akuzohej se kishte organizuar grup terrorist është shpallur fajtor vetëm për shitje dhe posedim armësh. Për këtë vepër ai është dënuar me 7 vjet burgim dhe dënim me gjobë prej 2 mijë e 800 euro.

I akuzuari tjetër Nuredin Sylejmani i cili pretendohej se kreu veprën “lehtësimi në kryerjen e terrorizmit” është shpallur i pafajshëm për terrorizëm ndërsa është dënuar vetëm për veprën penale të sulmit me burgim prej 6 vite dhe 1800 euro gjobë.

Dënim me burgim për armëmbajtje i është shqiptar edhe Valon Shalës i cili është dënuar me 5 vjet burgim dhe 1800 euro ndërsa  Genc Selimi u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim si dhe dënim me gjobë prej 3600 eurove për veprën penale penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Dënim me burg është shpallur edhe për Musli Hyseni i cili është dënuar me 1 vit burgim për armëmbajtje dhe 600 euro gjobë ndërsa është liruar për akuzat për terrorizëm.

Ardian Mehmeti, Nuredin Sylejmani, Genc Selimi, Valon Shala dhe Musli Hyseni, nga Prokuroria akuzoheshin se gjatë vitit 2013, janë përfshirë në vepra të ndryshme që lidhen me terrorizmin të cilat vepra penale Prokuroria pretendon se të akuzuarit kishin planifikuar sulme terroriste në Kosovë dhe Siri.

Ky rast është gjykuar nga trupi gjykues në përbërje prej gjyqtareve Naser Foniqi, Hamdi Ibrahimi dhe Agim Kuqi ndërsa aktakuzën e ka përfaqësuar prokurori special Afrim Shefkiu.

Valon Shala, Ardian Mehmeti, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni akuzohen për organizimin dhe drejtimin e një grupi terrorist, pjesëmarrjen në grup terrorist, përgatitjen e veprave penale terroriste, prodhimin e paligjshëm të materialeve shpërthyese, posedimin e paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve, nxitjen e urrejtjes fetare, sulmin e rëndë në territorin e Kosovës, si dhe kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Sirisë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me datë 23 janar 2015 ngriti aktakuzë ndaj Ardian Mehmeti, Nuredin Sylejmani, Genc Selimi, Valon Shala dhe Musli Hyseni, të cilët Prokuroria i akuzoi se gjatë vitit 2013, ishin përfshirë në vepra të ndryshme që lidhen me terrorizmin të cilat vepra penale Prokuroria pretendon se të akuzuarit i kryen në Kosovë dhe Siri.

 

https://kallxo.com/polici-inflirtuar-rrefen-takimet-te-akuzuarit-per-terrorizem-per-blerjen-e-armeve/

 

 

https://kallxo.com/i-akuzuari-per-terrorizem-ne-siri-shkova-pasi-i-percolla-qendrimet-e-imameve/

 

KALLXO.com e ka përcjellë në vazhdimësi këtë rast. Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.