Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons

Doktori kosovar arsyeton përdhunuesit e grave dhe vajzave ‘provokuese’

Doktori Nazim Qehaja e arsyeton dhunën seksuale ndaj grave/vajzave që vishen në mënyrë provokuese.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, patologu Qehaja ka përdorur gjuhë të ashpër, duke thënë se burrat që dhunojnë gratë me veshje provokative nuk duhet gjykuar.

Ky është publikimi i tij i plotë:

“LEXUES TË NDERUAR, VËLLEZËR DHE MOTRA!

TA KOMENTOJMË SË BASHKU KËTË FOTO, SI MASË PREVENTIVE, JO VETËM TË TURPIT KOMBËTAR, POR EDHE TË RREZIKUT TË DHUNIMIT ME FORCË TË FEMRAVE TË KËTILLA.

Sipas mendimit tim, jo vetëm në aspektin human, por edhe në atë profesional, psikomjekësor, dhunuesit e femrave të këtilla, publikisht, skajshëm provokative, nuk duhet të përgjigjën para ligjit”.

I kontaktuar nga KALLXO.com, doktori Qehaja tha se postimi i tij në rrjetin social Facebook nuk është kuptuar drejt.

Sipas tij, qëllimi i shkrimit të tij ka qenë preventiv.

“Po e vërej se shumica nuk e ka lexuar me kujdes. Qëllimi i këtij shkrimi është, siç kam thënë preventiv, që të këtilla sjellje publike të mos bëhen shkas për dhunime, ngase mes njerëzve ka të tillë, të cilët në këto raste nuk gjykojnë drejt dhe nuk mund ta frenojnë dhe kontrollojnë vetveten”, tha ai.

Reagimi i mjekut ka ardhur pas një performance të këngëtares Fjolla Morina në Skenderaj. Këngëtarja është kritikuar për veshjen e saj.