Detaje nga gjykimi ndaj inspektorit të ndërtimit nga Drenasi

 

Në seancën ndaj Fitim Veliqit, inspektor i ndërtimit në Drenas, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, i njëjti kërkoi që aktakuza të hedhet poshtë dhe kundërshtoi provat.

Ai po ashtu tha se pretendimi i Prokurorisë nuk qëndron.

“Pretendimi i Prokurorisë nuk qëndron që Komuna është e dëmtuar, pronarët e këtyre objekteve pa leje janë ndëshkuar me gjobë”, tha Veliqi.

Ndërsa prokurori i rastit, Rafet Halimi tha se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari ka kryer veprën që i vihet në barrë.

“Sa i përket mosveprimit ose pamundësisë së tij në bazë të angazhimeve të shumta nuk qëndrojnë, pasi ky s’ka paraqitë ndonjë ankesë te eprorët e tij për pamundësi të veprimit. I njëjti ka qenë në dijeni se objektet janë duke u ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme”, tha prokurori Halimi.

Gjykata refuzoi kërkesën e të akuzuarit për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Sipas aktakuzës, ai nga 23 shtatori i 2015 deri më 30 korrik 2016  nuk  ka bërë rrënimin e objektit – “Viva Fresh”, të pronarit Shaip Bujupi, objektin “Ana Princess” me pronar Faik Kastrati”, objektit “Hajdini Palace” me pronar Xhelil Leku dhe për objektin “Aktiv” me pronar Florim Shala.

Aktakuza thotë se me ndërtimin e këtyre objekteve pa leje kanë përfituar personat e lartcekur, ndërsa komunës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 34,176.00 euro.

Inspektori i Drenasit akuzohet se nuk rrënoi një varg objektesh pa leje