Buxhet deri në tre miliardë euro e çerdhe në çdo lagje premtohet në Prizren

Në debatin e organizuar nga platforma ‘Kosova që Duam’, kandidatët për deputetë nga komuna e Prizrenit dhanë premtime e zotime për një arsim cilësor dhe zhvillim më të madh ekonomik të shtetit të Kosovës.

Pjesë e këtij debati ishin Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje, Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lulzim Kabashi nga koalicioni AAK-PSD.

Përfaqësuesi i Vetëvendosjes renditi tri probleme kryesore në sektorin e arsimit.

“E para, arsimi është parë si bazë e votuesve, qysh me iu rrit rrogat arsimtarëve, që me i siguru ata dhe familjet e tyre që me votu partinë në pushtet. E dyta, arsimi është parë si ndërtim i shkollave, që në tendera me pas mundësi me keqpërdor. Dhe e treta, që fëmijët tanë e vuajnë në kurriz, por bukfalisht në kurriz, është ky abuzimi me tekste shkollore. E kanë liberalizu tregun që disa kompani me mujt me prodhu tekste shkollore”, tha Çeku.

E sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje e ka zgjidhjen për këto probleme.

“Duhet një reformim i thellë i arsimit të mesëm të lartë. Domethënë, nuk kanë nevojë me pas vetëm gjimnaze dhe këto shkollat tjera por do të synojmë një formulë që është 2/3 me 1/3. 2/3 shkolla profesionale dhe 1/3 gjimnaze. Këto 2/3 se çfarë profile dhe zanate duhen, do t’i pyesim bizneset. Çfarë kuadrosh kanë nevojë më së shumti, çka ju mungon dhe kështu dizajnohen drejtimet e shkollave profesionale dhe fillon reforma. Pika e dytë do të jetë edukimi parafillor, ne mendojmë që çdo lagje duhet ta ketë kopshtin e vetë dhe ky shërbim duhet të iu ofrohet pa pagesë familjeve kosovare”, deklaroi Çeku.

Ai premtoi arsim të lartë pa pagesë dhe themelimin e Fondit për Hulumtime Shkencore nëpër universitete.


Driton Selmanaj nga LDK tha se Kosova është vendi me më së shumti universitete në Evropë. Sipas tij, në vend janë 8 universitete publike dhe 24 kolegje private.

Ai gjithashtu dha një premtim për arsimin parashkollor.

“Ne e kemi mendu, jo vetëm çështjen e universiteteve, por fillimisht të merremi prej edukimit parafillor. Vetëm 3.5% e fëmijëve në Kosovë e ndjekin edukimin parafillor. Ne si LDK, synojmë që brenda mandatit 4 vjeçar këtë 3.5% ta rrisim në 50%, sepse mendojmë që problemet po nisin qysh në fëmijëri”, deklaroi Selmanaj.

Selmanaj tha se LDK-ja do të synojë depolitizimin e arsimit në Kosovë dhe reduktimin e disa drejtimeve nëpër universitete.

“Ne do të provojmë t’i reduktojmë disa drejtime të cilat nuk ka universitet në Kosovë që nuk i ka , për shembull ekonomiku dhe juridiku. Angazhimi jonë është në fuqizimin e shkollave profesionale. Do të provojmë me e apliku mësimin gjithëditor, kemi fillu sa kemi qenë në Komunën e Prishtinës disa shembuj si pilot-projekte dhe kjo duhet të zgjerohet edhe më tepër. Drejtorët e shkollave të mos zgjidhen më nga partitë politike dhe nga komuna, por nga këshilli i prindërve”, tha Selmanaj.

E Lulzim Kabashi i koalicionit AAK-PSD tha se ngecja në arsim po ndodh për shkak se kurrikulat nuk janë përshtatur me mësuesit dhe nxënësit. Sipas tij, koalicioni që përfaqëson synon sistem të qëndrueshëm te kurrikulave arsimore dhe forcim të shkollave profesionale.

“Një përforcim i shkollave profesionale, kemi shembull të keq në Prizren, pikërisht shkollat profesionale janë më të papërkrahurat. Mendoj që pranimi i nxënësve nëpër shkolla duhet të jetë më i mbikëqyrur, për shkak se nuk mundet çdo nxënës të jetë pjesë e gjimnazit. Ne më së shumti kemi nevojë për shkollat profesionale. Synimi i AAK-së është që nevojat e tregut dhe ekonomisë të përshtaten me arsimin”, tha Kabashi.

Zhvillimi Ekonomik  

Në fushën e zhvillimit ekonomik kandidatët dhanë zotime për krijim të fondeve dhe rritje të buxhetit të Kosovës. Ata folën edhe për ndërmarrjet publike e për sistemin energjetik.

Hajrulla Çeku nga Vetëvendosje tha se partia e tij mbështetet në dy pika për zhvillimin ekonomik të shtetit. Krijimi i një fondi dhe një banke.

“Fondi Sovran i Republikës  është një qasje shumë e thjeshtë qysh ky shtet sigurohet që asetet strategjike të kësaj Republike i menaxhon institucioni publik, e jo qysh është bërë deri tash, qoftë me privatizimet e egra, me devalvime ose edhe me forma të tjera korruptive të keqpërdorimit të shumë të ndërmarrjeve si Trepça, KEK-u, Telekomi. Tjetra është Banka Zhvillimore, që nuk është konkurrencë ndaj bankave komerciale, por atyre grupeve që kanë më pak qasje në financa për me e nisë një biznes, iu ofron edhe një derë, për me e marr një kredi. Dhe këtu shteti do ta mbushë atë hapsirën që e lënë bankat komerciale”, tha Çeku.

Ndërsa Selmanaj i LDK-së foli për përkrahjen e sektorit privat, që partia e tij synon ta fokusohet. Gjithashtu Selmanaj tha se do të reduktojë sektorin publik.

“Do të rishikojmë politikat tatimore, efikasitetin e shpenzimeve publike, kemi me e reduktu sektorin publik, sidomos qeverinë e këto tjerat. Investimet e jashtme, të cilat kryesisht lidhen me sa një shtet ka sundim të ligjit. Interes për ne është anëtarësimi i në organizmat ndërkombëtarë ekonomik”, tha Selmanaj.

Ai bëri edhe një premtim për rritjen e buxhetit të shtetit.

“Por, synimi konkret i joni është buxhetin brenda periudhës 4 vjeçare ta bëjmë 3 miliardë euro. Ne si LDK jemi të sigurt që mund ta rrisim edhe më tepër. Nuk do të lejojmë që asnjë segment të ekonomisë së Kosovës të ketë monopol”, tha Selmanaj.

Përfaqësuesi i koalicionit AAK-PSD, ngecjen në zhvillimin ekonomik gjatë qeverisjes Haradinaj, e arsyetoi me problemet tjera që i ka pasë Kosova, si cenimi i integritetit territorial. Ndërsa foli për ndërtimin e një termocentrali tjetër në Kosovë dhe infrastrukturën rrugore.

“Unë mendoj që gjatë 4 viteve të ardhshme të qeverisë Haradinaj, zhvillimi ekonomik do të jetë çështje kryesore. Kjo mund të arrihet në disa sektorë, pavarësia energjetike përmes ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’, është një nga faktorët që krijon stabilitet për investitorët e jashtëm. Ndërtimi i infrastrukturës rrugore, që mendoj është një nga pikat kryesore për investitorët e jashtëm që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. Me zgjidhjen e problemit të energjetikës dhe infrastrukturës rrugore, mendoj se krijohet hapësira për zhvillimin e zonave ekonomike”, tha Kabashi.

Kabashi gjithashtu foli edhe për sistemin e drejtësisë, duke thënë se hapi i parë është marrë për forcimin e këtij sektori, duke iu rritur pagat e prokurorëve. Ai premtoi se do të ketë rritje të numrin të gjyqtarëve dhe prokurorëve me nga 100.

Ndërsa Driton Selmanaj i LDK-së tha se prokurorët asnjëherë nuk kanë kërkuar rritjen e pagave. Ai tha se pagat e tyre janë rritur ‘pahiri’.

“Krejt sektorët tjerë kanë lidhje me sundimin e ligjit. Asnjëherë në Kosovë nuk ka qenë problem paga e prokurorëve, asnjëherë nuk ka qenë kërkesë e tyre rritja e pagave. Por, kryeministri i kaluar rastësisht iu ka rritë pagën, kur ia ka rritë vetit, më pas e ka kuptu që në ligjin për prokurorë dhe gjyqtarë, përfshihet që të jetë e barasvlefshme me kryeminsitrin”, deklaroi Selmanaj.

Kurse Kabashi i AAK-së u përgjigj që i vjen keq që LDK-ja mendon se gjithçka është bërë pahiri. Duke ironizuar me ish deputetin e LDK-së, Kabashi tha se edhe ‘Ligji për Trepçën është bërë pahiri edhe ai i ushtrisë është bërë pahiri’.

“Krejt i keni bo ju e ne është dashtë pas 18 vjet qeverisje, i keni lënë këto punë pa u kryer dhe vjen Ramush Haradinaj i kryen për 18 muaj”, tha Kabashi.

Kandidatët për deputetë nga këto dy parti u përplasen edhe për veteranët e luftës.

Kabashi i AAK-së tha se nevojitet amandamentim të ligjit për veteranët, që secili të klasifikohet.

Ndërsa Selmanaj tha se ligji sipas tij nuk është problem, por mentaliteti i ish komandantëve.

“Qeveria Haradinaj ia ka qitë kulmin e këtij abuzimi, ka dalë më shumë se 60% e Deçanit që janë veteranë. Për fat të keq, këtë vlerë më sublime të shoqërisë që ka qenë lufta çlirimtare, e kanë demolu. Ligji e parasheh kategorizimin e tyre, ligji nuk ka qenë i keq”, tha Selmanaj.

Kurse Lulzim Kabashi iu përgjigj, duke thënë se ai e di me emra se kush ka qenë në luftë e kush ka ikur nga lufta dhe se është krenar që një numër i madh i njerëzve kanë marrë pjesë në luftë.

Hajrulla Çeku e lëshoi debatin më herët, për arsye që sipas tij, kishte angazhime të tjera.

Debati i radhës i platformës ‘Kosova që Duam’ zhvillohet të premten në qytetin e Ferizajt.

Debati u transmetua drejtpërdrejt në KALLXO.com.