FOTO: KALLXO.com

5 Mijë Euro Gjobë për Institucionin që nuk e Respektojnë Ligjin për Gjuhët në Maqedoni

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi i ftuar në forumin e organizuar nga BIRN dhe Internews Kosova ka treguar gjobat që parashikohen me Ligjin për Gjuhën në Maqedoni.

“Gjobat janë 5 mijë për institucionin dhe 30 për qind për bartësin e përgjegjësive në institucionin përkatës. Gjithë shigjetat drejt ligjit ishin për normat ndëshkuese, pse të ketë norma ndëshkuese. Pra po të mos respektohet me vullnet atëherë do të ketë ndëshkime”, ka theksuar Xhaferi.

Ai ka shtuar se institucionet e kanë obligim që ta respektojnë ligjin duke përmendur edhe mangësitë e ligjit paraprak të gjuhës në Maqedoni.

“Institucionet përkatëse kanë obligim të respektojnë atë. Parlamenti është korrektori i ekzekutivit. Dallimi me ligjin paraprak, duke i parë mangësitë e zbatimit paraprak kemi inkorporuar norma ligjore, kemi paraparë themelimin e inspektoratit të veçantë që të kontrolloj në aspektin e gjuhës shqipe dhe janë paraparë norma ndëshkuese për ata që nuk pranojnë të zbatojnë normat e ligjit”, ka përfunduar Xhaferi.