Presidenti amerikan, Donald Trump - Foto: REL/AFP

Trump: Koreja Veriore nuk është më kërcënim bërthamor

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se Pheniani nuk paraqet më kërcënim bërthamor për botën.

Trump i bëri këto komente një ditë pas takimit me udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un në Singapor.

“Sapo aterova. Një rrugë e gjatë, por secili tani mund të ndjehet më i sigurt sesa në ditën kur kam marrë detyrën. Nuk ka më kërcënim bërthamor nga Koreja e Veriut. Takimi me Kim Jong Un-in ka qenë një përvojë interesante dhe shumë pozitive. Koreja e Veriut ka potencial të madh për të ardhmen”, ka shkruar Trump në Twitter.

Edhe koranoveriorët e cilësuan takimin Trump-Kim si një fitore të madhe për vendin e tyre, me mediat që raportuan se ShBA-ja tashmë do t’i heq sanksionet ndaj këtij vendi, shkruan rtv21.rv.

Trump dhe Kim nënshkruan një deklaratë të përbashkët, në të cilën Kim u zotua se “do të punojë drejt denuklearizimit të plotë të Gadishullit korean”.

Megjithatë, nuk u caktua asnjë afat apo angazhim konkret për Phenianin që të çarmatosë arsenalin e tij bërthamor.

Lidhur me sanksionet amerikane,  Trump ka thënë se ato do të mbeten në fuqi deri sa armët bërthamore të Phenianit të mos jenë më një faktor.

Në takimin e djeshëm u njoftua edhe për fundin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake ShBA-Kore e Jugut, lëvizje kjo e kërkuar prej kohësh nga Pheniani.

Samiti që nga koranoveriorët u cilësua si takim i shekullit dhe si një ndarje historike me të shkuarën, nga shumë vëzhgues perëndimorë u konsiderua si jo edhe aq i arrirë për shkak të disa lëshimeve domethënëse nga ShBA-ja sipas tyre dhe asnjë angazhimi të ri nga Veriu se si të arrihet denuklearizimi./21Media