Testi teorik për patent shofer tashmë edhe në gjuhën turke

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka njoftuar se testi teorik i pajisjes me patent shofer do të jetë edhe në gjuhën turke për të gjithë qytetarët e këtij komuniteti.

Ai përmes një publikimi në llogarinë e tij në Facebook se tashmë mostra e këtij testi i është dërguar Grupit Parlamentar 6+.

“Një mostër të testit në turqisht, ua dorëzova sot deputetëve te këtij komuniteti që janë pjesë e Grupit Parlamentar 6+. Mbetemi të përkushtuar që të ofrojmë shërbimet e nevojshme për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Lekaj.

Të gjithë kandidatët që duan t’i nënshtrohen testit për patentë shoferë në gjuhën turke, paraprakisht duhet të parashtrojnë kërkesë pranë Njësisë së Patentë Shoferëve ku ata do të testohen.