Virusi i rrezikshëm Android i cili i përgjon përdoruesit duke u bazuar në vibrimin e altoparlantëve

EarSpy është një malware (virus) i ri për pajisjet që përdorin sistemin operativ celular të Google dhe aftësitë e tij janë mjaft të frikshme për privatësinë e përdoruesit. Megjithatë, duhet theksuar menjëherë se ky malware nuk përhapet përmes telefonave apo tabletëve, por pas tij qëndrojnë shkencëtarë nga pesë universitete në SHBA dhe është krijuar vetëm për qëllime kërkimore.

Malware-i i tyre mund t’i lexojë të dhënat e mbledhura nga sensorët e lëvizjes, si vibrimet e altoparlantëve të telefonit gjatë një bisede. Duke qenë se modelet e mëparshme të telefonave të mençur nuk kishin sensorë kaq të avancuar, sulme të tilla nuk ishin të mundshme më parë.

Megjithatë, tani situata është ndryshe dhe EarSpy tregon se sa progres është bërë vitet e fundit në fushën e teknologjisë së telefonave të mençur, të tillë si sensorët e lëvizjes dhe xhiroskopët, apo çfarë rreziku kërcënon përdorimin e të dhënave të marra nga kjo teknologji. Në hulumtim u përdorën dy modele të telefonave të mençur, të dy pak më të vjetër dhe të dy nga e njëjta kompani – OnePlus.

Njëri është modeli OnePlus 7T i prezantuar në vitin 2016, ndërsa tjetri është OnePlus 9 i vitit 2019 dhe diferenca mes të dhënave të mbledhura në këta telefona është e konsiderueshme, natyrisht në favor të modelit më të ri.

Kështu, modeli OnePlus 9 ishte në gjendje të mblidhte më shumë të dhëna për shkak të teknologjisë së tij më të avancuar dhe nuk është e vështirë të konkludohet se kjo sasi e të dhënave është shumë më e lartë në modelet edhe më të reja.

Ndër të tjera, EarSpy mund t’i përgjojë thirrjet dhe prej tyre ta njohë gjininë dhe madje edhe identitetin e përdoruesit, si dhe mund ta njohë pjesërisht përmbajtjen e bisedës, e gjitha kjo bazuar në të dhënat e regjistruara nga akselerometri nga vibrimi i altoparlantit.

Malëare në telefona është në gjendje ta njihte gjininë midis 77.7 dhe 98.7 përqind, ndërsa njohja e të folurit është e suksesshme midis 52 dhe 55 përqind./Tech Radar

Përgatiti: Nuhi Shala