Simptomat e lisë së majmunëve. Foto: REL

Disa informacione për linë e majmunëve, sipas IKShPK-së

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike(IKSHPK) ka dhënë disa informacione për sëmundjen e lisë së majmunëve.

IKShPK ka njoftuar se në Kosovë nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë, sa i përket lisë së majmunëve.

Disa raste të lisë së majmunëve janë raportuar ose dyshohen në Britani, Portugali, Spanjë dhe Shtete të Bashkuara.

Përhapja ka ndezur alarmin, sepse sëmundja virale, e cila bartet përmes kontakteve të ngushta dhe është zbuluar për herë të parë në majmunë, shfaqet kryesisht në pjesën perëndimore dhe qendrore të Afrikës, ndërsa vetëm herë pas here diku tjetër.

Disa informacione për lijën e majmunëve, sipas IKShPK-së:

  • Lija e majmunëve shkaktohet nga virusi i lisë së majmunëve, anëtar i gjinisë Orthopoxvirus në familjen Poxviridae;
  • Lija e majmunëve është sëmundje zoonotike virale që shfaqet kryesisht në zonat tropikale të pyjeve të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore dhe herë pas here eksportohet në rajone të tjera;
  • Lija e majmunëve zakonisht shfaqet klinikisht me ethe, skuqje dhe ënjtje të nyjeve limfatike dhe mund të çojë në sërë komplikimesh mjekësore;
  • Lija e majmunëve është zakonisht sëmundje me simptoma të kufizuara që zgjasin nga 2 deri në 4 javë. Mund të ndodhin raste të rënda. Kohët e fundit, raporti i fatalitetit të rasteve ka qenë rreth 3-6%;
  • Lija e majmunit transmetohet te njerëzit nëpërmjet kontaktit të ngushtë me person ose kafshë të infektuar, ose me material të kontaminuar me virusin;
  • Virusi i lisë së majmunit transmetohet nga një person te tjetri nëpërmjet kontaktit të ngushtë me lezione, lëngje trupore, pika të frymëmarrjes dhe materiale të kontaminuara si shtrati;
  • Paraqitja klinike e lisë së majmunëve i ngjan asaj të lisë, një infeksion i lidhur me ortopoksvirusin i cili u shpall i çrrënjosur në mbarë botën në vitin 1980. Lija e majmunëve është më pak ngjitëse se lija dhe shkakton sëmundje më pak të rënda;
  • Vaksinat e përdorura gjatë programit të çrrënjosjes së lisë ofruan gjithashtu mbrojtje kundër lisë së majmunëve. Janë zhvilluar vaksina më të reja nga të cilat njëra është miratuar për parandalimin e lisë së majmunëve.
  • Një agjent antiviral i zhvilluar për trajtimin e lisë është licencuar gjithashtu për trajtimin e lisë së majmunëve.