Porsche krejt e re: SUV-i sportiv elektrik përshkon një distancë prej 700 km me një karikim të vetëm

Ashtu si shumë kompani të tjera të automjeteve, Porsche gjithashtu po e zhvendos fokusin e saj tek automjetet elektrike dhe njoftimet për automjete të reja me motorë elektrikë nuk duhet të jenë befasuese. Por duket se prodhuesi i veturave sportive mund të na befasojë ende pasi po përgatisin një automjet që siç raportojnë mediat nuk do të jetë si asnjë Porsche e mëparshme. Sipas atyre që kanë parë planet dhe dizajnin e parë, do të jetë një SUV elektrik luksoz mbi pesë metra i gjatë që do të jetë “pjesërisht sedan, pjesërisht crossover”.

Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë, Oliver Blume, e quajti atë “një interpretim jashtëzakonisht sportiv i një SUV” në të cilin duhet të ketë vend për deri në 7 persona. Emri i koduar i automjetit është K1 dhe do të fuqizohet nga një motor elektrik, por për të gjithë ata që janë të interesuar për një automjet të tillë dhe, natyrisht, kanë shumë para, lajmi i keq është se do të kalojnë vite para se të nisë shitja. Dmth, ne mund ta blejmë këtë automjet në treg vetëm në vitin 2027, dhe Mercedes EQS SUV dhe BMW iX përmenden si konkurrentë të atij modeli.

Ky automjet ka qenë në zhvillim për tri vjet dhe Porsche beson se do të vazhdojë me rezultatet e shkëlqyera të arritura nga modelet Cayenne dhe Macan, automjetet e tyre më të shitura të kompanisë në dy dekadat e fundit.

Sa i përket disa opsioneve, informacioni i parë thotë se ndoshta do të bazohet në platformën PPE (Premium Platform Electric) ose një version më i ri i asaj platforme, do të ketë lëvizje me 4 rrota, një bateri 100 kWh me mbështetje për karikim të shpejtë dhe një rreze të gjatë. Përkatësisht, përmendet se me një mbushje të baterisë mund të udhëtojë deri në 700 km. 

Kur të dalë në treg, duhet të jetë automjeti i pestë elektrik i Porsche. Pas Taycan dhe versionit elektrik të Macan dhe Porsche Boxter/Cayman elektrike që presim në vitin 2025, një version elektrik i Cayenne është planifikuar edhe për vitin 2026, ndërsa një vit më vonë mund të presim edhe modelin e përmendur që aktualisht është duke u zhvilluar me emrin e koduar K1./Autocar

Përgatiti: Nuhi Shala