Franca ndalon shitjen e iPhone 12 për shkak të rrezatimit elektromagnetik

Autoritetet e Francës e kanë urdhëruar Apple që ta ndalojë shitjen e iPhone 12 sepse dyshohet se lëshon shumë rrezatim elektromagnetik, raporton BBC.

Përveç ndalimit, mbikëqyrësi francez ANFR, i cili menaxhon frekuencat e radios, urdhëroi gjigantin e teknologjisë t’i riparonte celularët ekzistues. Gjithashtu, Apple i është thënë qartë se nëse nuk mund ta rregullojë problemin me një përditësim të softuerit, duhet të tërheqë çdo iPhone 12 të shitur në Francë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka kërkuar më parë ta zbusë frikën rreth rrezatimit të emetuar nga telefonat celularë dhe në faqen e saj zyrtare thuhet se nuk ka asnjë provë që ekspozimi ndaj fushave elektromagnetike të nivelit të ulët është i dëmshëm për njerëzit.

Apple prezantoi iPhone 12 në shtator të vitit 2020 dhe ende po e shet atë në mbarë botën.

Kompania konfirmoi për BBC se e konteston auditimin nga ANFR dhe se i ka dorëzuar laboratorit rregullator rezultatet që i ka marrë vetë, por që vijnë edhe nga palë të treta dhe tregojnë se pajisja është në përputhje me të gjitha rregullat përkatëse. Vihet re se iPhone 12 përputhet me rregulloret për nivelet e rrezatimit në mbarë botën.

Ministri francez Jean-Noel Barrot ka thënë për Le Parisien se vendimi është marrë për shkak të nivelit të rrezatimit mbi pragun e pranueshëm, raporton Reuters. Ai tha se ANFR përcaktoi që shkalla specifike e përthithjes (SAR) e iPhone 12 tejkalon kufirin e lejuar ligjërisht.

Franca do t’i ndajë gjetjet e saj me rregullatorë të tjerë në të gjithë bllokun tregtar, gjë që mund të rezultojë në një “efekt zingjiror”.

ANFR kërkon që SAR-i i pajisjes të kontrollohet në dy mënyra të ndryshme përdorimi. E para i referohet situatës kur celulari është në kontakt të ngushtë me trupin, për shembull kur mbahet në dorë ose në xhepin e pantallonave, dhe kufiri në këtë rast është 4 ë për kilogram. Megjithatë, në rastin e iPhone, është 5.74 ë për kilogram, që është më shumë se kufiri i lejuar.

Kontrollohet edhe kur celulari është pak më larg, pra në çantë apo në xhep xhakete. Matja e SAR për iPhone 12 ishte nën pragun në këtë rast.

Ky lajm fillimisht u shfaq në Francë të martën, ditën kur Apple prezantoi iPhone 15 të ri. Është telefoni i parë i mençur që nga viti 2012 që ka një port alternativ karikimi, por Apple do të shesë gjithashtu një përshtatës që përdoruesit t’i mund ta përdorin ende kabllot ekzistuese.

Qeveria kineze kohët e fundit i ndaloi punonjësit e agjencive shtetërore të përdorin iPhone, por nuk ka asnjë ndalim për shitjen e pajisjeve Apple në këtë vend./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala