Sulmohet përsëri gruaja rome, kësaj here në Ferizaj

Gruaja rome e cila u sulmua para dy dite në Lipjan, është sulmuar përsëri, kësaj here në Ferizaj.

Sulmin e ka konfirmuar Mehmet Hajdini nga Policia e Kosovës në rajonin e Ferizajt. Ai tha se gruaja për momentin gjendet në stacionin policor, por nuk po flet.

“Fillimisht kemi marrë informacion për një sulm ndaj një qytetari në sheshin e Ferizajt. Njësitë relevante kanë dalë në teren dhe pastaj është kuptuar se është gruaja në fjalë. Ajo gjendet momentalisht në stacionin policor, por që nuk po flet fare. Gjithashtu as shenja të dhunës nuk ka”, ka thënë Hajdini për KALLXO.com.

Hajdini ka thënë se gruaja do të dërgohet në Qendrën Sociale për t’u kontrolluar nëse ka ndonjë problem të mundshëm nga brenda.

“Deri më tani nuk ka të dyshuar, sepse njësitë janë terren”, ka bërë të ditur Hajdini.

Gruaja fillimisht ishte raportuar se është një burrë i maskuar si grua dhe që rrëmben fëmijë, gjë që më pas u demantua nga Policia.

Ajo ishte sulmuar ditën e djeshme në Lipjan, e më pas Policia kishte shoqëruar një të dyshuar, që gjatë ditës ishte liruar në procedurë të rregullt.

https://kallxo.com/policia-identifikon-dhe-ndalon-te-dyshuarin-per-sulm-ndaj-gruas-rome-ne-lipjan/