Zyrtare: Bylbyl Sokoli trajner i Flamurtarit

Bylbyl Sokoli tashmë është zyrtarisht trajner i Flamurtarit të Prishtinës.

Drejtori i përgjithshëm i klubit, Agim Hasani dhe drejtori sportiv Arbnor Morina, e prezantuan kryetrajnerin e ri Sokoli.

Morina tha se janë marr vesh me Sokolin dhe me mundësi vazhdimi me të edhe për kampionatet tjera.

“Klubi futbollistik Flamurtarit ka arritur marrëveshjen me trajnerin e mirënjohur Bylbyl Sokoli që tash e pas të jetë udhëheqës, i cili do ta udhëheq klubin tonë, ekipin tonë, në kampionatin e ardhshëm, më mirë me thënë në gjysmëstinorin e dytë, edhe me mundësi të vazhdimit për një kohë me të gjatë pas këtij përfundimit të kampionatit, i cili ka me qenë i vështirë”.

“Unë mendoj edhe të gjithë në klub, Agimi, kryetari, Bylbyli, që ky kampionat për neve ka me qenë i suksesshëm në fund”.

“Ajo çka është më e rëndësishme që bisedimet të cilat i ka pasur kryetari me Bylbylin kanë qenë të suksesshme dhe të frytshme, janë në një frymë të bashkëpunimit të gjithmbarshëm brenda klubit, për arsye, përpos pjesës e cila ka të bëjë me ekipin e parë që është primare, i kemi bashkërenditur edhe gjërat tjera të cilat kanë të bëjnë edhe me mirëvajtjen e punës në përgjithësi në pjesën e sportive të KF Flamurtarit”, tha Morina në konferencë.

Bylbyl Sokoli ishte pjesë e Prishtinës për dy javë ku arriti një fitore dhe një humbje, e që ishte trajneri me kohën më të shkurtër në ekipin e kryeqytetasve.

Trajneri i njohur kosovar, në konferencë për shtyp ka folur për objektivat që i ka me kryeqytetasit, të cilët gjenden në pozitë të vështirë në tabelës.

“Pas bisedave që kam pasur me presidentin e klubit, me udhëheqësit e klubit, me drejtorin Arbnor Morinën, me drejtorin Agim Hasanin, kemi biseduar dhe kemi arritur një marrëveshje, me një qëllim që të gjithë me dhanë maksimumin në klub, që Flamurtari në këtë sezon ta sigurojë ekzistencën dhe pikësynimi im dhe unë besoj, edhe i gjithë tjerëve është ky. Prandaj do të bëjmë përpjekje që këtë edicion të prezantohemi siç është më së miri”, është shprehur në fillim ish-trajneri i Prishtinës.

Ai ka zbuluar se synimi kryesor i tij është që ta shpëtojë Flamurtarin, pra ta sigurojë ekzistencën në elitën e futbollit kosovar.

“Unë mendoj se në saje të potencialit që ka klubi në të gjitha aspektet, të futbollistëve edhe të udhëheqësisë, kam folur me njerëz, para se gjithash, presidenti ka dhënë maksimumin për këtë klub, me Arbnorin i cili i njeh problemet, njihem më herët, me Agimin, që i njohin problemet, dhe e njohin Ligën e Kosovës, unë do të kam nderin të punoj me të gjithë këta, para se gjithash kam ardhur me një klub që ka traditë, që është themeluar dhe ka kaluar nëpër periudha shumë të vështira prej vitit 1968 e këndej, prandaj ky është motivi im kryesor”, shtoi tutje “Profa”.