ORCA prezanton vendimin e Këshillit të Etikës për pesë profesorët të cilët thuhet se kanë bërë plagjiaturë

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) gjatë një konference ka bërë të ditur vendimin e Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për pesë profesorë për të cilët ORCA ka dërguar pretendimet për plagjiaturë në punime akademike.

Pesë profesorët janë nga Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit në UP.

“Gjatë vitit 2022 ORCA ka vërtetuar 7 plagjiatorë. Ardian Kastrati deputet në Kuvendin e Kosovës, Bujar Dugolli senator në UP, 1 muaj më parë. Ndërkaq sot, këtyre po u bashkohen edhe 5 të tjerë përfshirë dekanin e Fakultetit të Sporteve, Musa Selimi, profesorin Bylbyl Sokoli, profesori Ajvaz Berisha, profesorin Hazir Salihu dhe profesori Afrim Koca”, ka thënë Dibran Hoxha nga ORCA.

Hoxha ka thënë se Këshili i Etikës i UP-së ka dënuar profesorët me dy vite suspendim nga mentorimi i studentëve, ndërsa rroga e tyre mbetet e njëjtë.

“ORCA më nuk do të dorëzojë asnjë lëndë të ngjashme në instancat e Universitetit të Prishtinës, por do të orientojë të gjitha energjitë e saj në presione ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Hoxha.

Ai gjithashtu ka shtuar se pas këtyre 7 vendimeve ORCA mendon se janë pjekur kushtet për një ndërhyrje radikale të Ministrisë së Arsimit. “Dhe kjo ndërhyrje nuk mund të jetë asgjë tjetër veçse Vetting-u në arsimin e lartë. Madje këtë e kanë kërkuar edhe 35 organizata të shoqërisë civile me një letër publike drejtuar Qeverisë së Kosovës më 29 qershor 2022”.

KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje edhe nga profesorët, por deri në momentin e publikimit vetëm profesori Ajvaz Berisha është përgjigjur, ndërsa Musa Selimi, dekan në Fakultetin e Edukimit Fizik nuk ka pranuar të përgjigjet duke thënë “jam në pushim, nuk mund të përgjigjem”.

ORCA më 22 qershor kishte publikuar vendimet e Këshillit të Etikës për profesorët Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati.

Në vendimet e Këshillit të Etikës thuhet se profesorit Bujar Dugolli i ndalohet mentorimi i temave të diplomës së masterit dhe doktoratës për dy vite, ndërsa Ardian Kastratit i ndalohet mentorimi i temave të të gjitha niveleve për 3 vite si dhe si masë ndëshkuese e përbashkët, të dy profesorëve punimi plagjiat nuk u konsiderohet si punim i botuar në revista shkencore dhe si rrjedhojë nuk mund të përdoret për avancime akademike.

Këshilli i Etikës vendos për plagjiaturën e Dugollit dhe Kastratit, Dugolli e quan fushatë të ORCA-s