Nis rigjykimi i të akuzuarve për prodhim ilegal të alkoolit

Pesë qytetarë të Kosovës po akuzohen për prodhim të ndaluar të alkoolit si dhe transportim të lëndëve kimike për përpunimin e pijeve alkoolike.

Zenel Emini, Bahtir Emini, Shaqir Abdullahu, Bylbyl Sokoli dhe Arsim Ejupi po akuzohen nga Prokuroria Speciale për veprat penale – prodhim i ndaluar, mashtrimi i blerësve, shmangia nga tatimi, mashtrim, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, prodhimi dhe shfrytëzimi i tiketave, masave dhe peshave të rreme dhe përdorimi i paautorizuar i firmës.

Gjithashtu, akuzohet edhe Nexhat Ibrahimi, ku kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri e ka veçuar procedurën pasi që ai rezulton se është shpërngulur jashtë Kosovës.

Sot, në rigjykim pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.

Gjykatësja Shadije Gërguri njoftoi se nga përfaqësuesit e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganës së Kosovës, të cilët janë thirrur në këtë procedurë, kanë marrë nga një shkresë zyrtare.

ATK-ja dhe Dogana përmes shkresave të tyre kanë mbështetur akuzën e ngritur nga Prokuroria.

Me propozimin e palëve, trupi gjykues mori vendim që të thirren si dëshmitarë-të dëmtuar përfaqësuesit e ATK-së dhe të Doganës së Kosovës.

Aktakuza për këtë rast është ngritur nga Prokuroria Speciale më 22 korrik të vitit 2004, ndërsa sot ka nisur rigjykimi.

Më 22 korrik 2004 aktakuza ishte ngritur nga prokurori i ish-Prokurorisë së Qarkut, e më pas është ndryshuar më 10 nëntor 2017 nga prokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Armend Hamiti, i cili kishte bërë shkrirjen e dispozitivit në një akt të vetëm.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit gjatë periudhës kohore 2000-2004 në bashkëveprim kanë punuar në prodhimin e pijeve alkoolike dhe për këtë të njëjtit tash po rigjykohen.

Tutje, në aktakuzë thuhej se në bashkëpunim me Arsim Ejupin, Shaqir Abdullahu, i cili ishte pronar i “Joni 2” dhe Bylbyl Sokoli, pronar i “Caki Comerce”, kishin prodhuar pije alkoolike të tipit “Skenderbeg”, “Vodka” dhe “Pashtrik”, si dhe verë të bardhë, verë të kuqe dhe se në mënyrë ilegale kishin transportuar lëndë kimike për përpunim të pijeve alkoolike.

Më 27 maj 2019, Gjykata i kishte gjetur fajtorë të akuzuarit, duke iu shqiptuar dënim prej dy vitesh burgim me kusht, i cili nuk do të ekzekutohej nëse të akuzuarit nuk do të kryejnë vepër penale në një periudhë pesëvjecare.

Përpos dënimit me kusht, Arsim Ejupi ishte dënuar me 10 mijë euro gjobë, ndërsa të akuzuarit Bahtir Emini, Zenel Emini, Shaqir Abdullahu, Bylbyl Sokoli me nga 5 mijë euro gjobë.

Pas ankesës së Prokurorisë Speciale për dënimin e shqiptuar, Gjykata e Apelit në maj të vitit 2020 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 12 maj.