Sezoni i Ballkanit

Superliga e Kosovës në futboll, pas 17 xhirove për sezonin 2019/20, e mbylli sezonin vjeshtor më 2 dhjetor.

Kampion i sezonit vjeshtor u shpall skuadra suharekase FC Ballkani me 34 pikë të grumbulluara.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Ismet Munishi i ka befasuar në këtë sezon të gjithë me paraqitjet e tyre, duke i mposhtur skuadrat e kreut të tabelës pa problem.

Ballkani nga 17 ndeshje të zhvilluara i ka shënuar 10 fitore, katër barazime dhe tri humbje, dhe pozicionohet më dy pikë më shumë se vendi i dytë që është skuadra e Gjilanit.

Genc Sermaxhaj, trajner dhe analist i futbollit, thotë se Ballkani është me plot meritë gjendet në vendin e parë për sezonin vjeshtor. Ai thotë se gjatë këtij gjysmë sezoni u dëshmuan lojtarët e rinj.

“Patjetër që Ballkani me meritë është në pozitën e parë pas këtij gjysmë sezoni, pasi ka treguar formë të mirë e të vazhdueshme me lojëra të mira. Në këtë skuadër u dëshmuan futbollistët e rinj, por edhe pjesa tjetër e ekipit të cilës pas harmonisë së mirë që duket se mbretëron aty, arritën edhe këto rezultate të cilat janë mjaftë të mira”, thotë Sermaxhaj për KALLXO.com.

Sermaxhaj, potencon se rival direkt për kreun e tabelës për Ballkanin do të jenë Gjilani dhe Drita.

“Se a do ta mbajë po këtë ritëm Ballkani në vazhdimin e sezonit pranveror, nuk mund ta themi saktë, por nuk do ta ketë të lehtë, sepse ekipet tjera janë po aq afër tij, dhe mund ta kalojnë në vazhdimin e kampionatit. Gjilani dhe Drita, janë dy ekipe të cilat nuk duhet t’i largojmë nga kjo garë për titull, të cilat janë shumë të denja për ta fituar kampionatin po aq sa Ballkani. Detajet e vogla gjatë kampionatit mund ta ndryshojnë vazhdueshmërinë pozitive të ndonjërës prej këtyre dy skuadrave”, potencon Sermaxhaj.

Sipas, trajnerit të futbollit, ekipet tjera, pos Ballkanit, Gjilanit dhe Dritës, nuk kanë treguar potencial që të garojnë për të parin e Superligës në futbollin kosovar.

“Ekipet tjera nuk kanë lënë ndonjë përshtypje se mund të bëjnë diçka më shumë në këtë drejtim, sepse edhe lojërat që ato ekipe kanë zhvilluar nuk kanë qenë bindëse se mund të dalin të parat në fund. Do të duhej që sipas mundësive këto ekipe të bëjnë ndonjë lëvizje në përbërjet e tyre me ndonjë transfer eventual cilësor dhe të vazhdojnë punën e mirë që kanë bërë deri më tani”, thotë Genc Sermaxhaj.

Ai thotë se deri në fund të sezonit pret një kampionat të fortë.

“Do të jetë një kampionat vërtet i vështirë  dhe i fortë, shpresoj të kemi edhe ndeshje të mira që na i do syri për t’i shijuar këto loja, sepse ata që shkojnë në stadium duan lojë të bukur e atraktive”, përfundon Sermaxhaj.

Genc Sermaxhaj

Edhe trajneri i njohur dhe analisti i futbollit Ajet Shosholli, thotë se Ballkani me meritë është në vendin e parë dhe e ka shfrytëzuar formën jo stabile të ekipeve tjera gjatë këtij gjysmësezoni.

“Mendoj që Ballkani me meritë do dimërojë si kampion në Superligën e Kosovës, sepse në krahasim me ekipet tjera, ka pasur formë stabile dhe e ka shfrytëzuar formën e luhatur të ekipeve tjera që nuk kishin stabilitet të lojës dhe rezultateve”, thotë Shosholli për KALLXO.com.

Shosholli thekson se te Ballkani në këtë sezon arma kryesore e kësaj skuadre ishin Blendi Baftiu, Arbër Hoxha dhe Jetmir Topalli.

“Te Ballkani u shqua treshja e futbollistëve të rinj si Blendi Baftiu, Arbër Hoxha dhe Jetmir Topalli, që ishin arma kryesore e rezultateve të mira të Ballkanit”, thekson Shosholli.

Për Ajet Shoshollin, Gjilani e Drita, janë kandidat për vendin e parë, por duke mos i përjashtuar Prishtinën dhe Feronikelin.

“Kandidatët të tjerë për vendin e parë do të jenë edhe Gjilani e Drita, të cilat në bazë të investimeve që i kanë bërë, nuk i kanë përmbushur objektivat e tyre, duke mos pas një formë stabile. Natyrisht që kandidat shumë serioz do të jetë edhe Prishtina e cila mendoj që e ka kapë formën e mirë në finishin e garës vjeshtore dhe e ka një kontingjent shumë të mirë të futbollistëve.  Edhe Feronikeli mund të konkurrojë për titullin e më të mirit, sepse shtatë pikë nuk është një diferencë e pa arritshme ndaj vendit të parë”, thotë Ajet Shosholli.

Ajet Shosholli