Marmarinos dhe Dardan Berisha shpresojnë në fitore ndaj Islandës

Kombëtarja e Kosovës në basketboll, të enjten do të luaj ndaj Islandës, në kuadër të parakualifikimeve për Botërorin 2023 në basketboll.

Dardanët do të luajnë në “Pallatin e Rinise dhe të Sporteve”, në Prishtinë prej orës 19:00.

Trajneri i Kosovës, Christos Marmarinos dhe Dardan Berisha, kanë folur në konferencë për media para ndeshjes së nesërme.

Christos Marmarinos është shprehur optimist para ndeshjes së enjtes ndaj Islandes, duke shpresuar në fitore.

“Unë jam shumë i kënaqur me mënyrën se si kanë ushtruar djelmoshat. Ata dhanë gjithçka nga vetja dhe kjo është ajo që duam. Duam që të japim maksimumin sa herë që jemi në përgatitje apo kudo që jemi. Të gjithë jemi shumë krenar që përfaqësojmë Kosovën në këto ndeshje dhe uroj që këtë energji ta bartim në lojën nesër dhe shpresoj në një rezultat të mirë, rezultat që do të na jepte forcë për të vazhduar rrugëtimin tonë”, ka thënë Marmarinos para mediave.

Ndërkaq, kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha, ka thënë se kanë motiv të madh para ndeshjes dhe pret që palestra të mbushet plotë të enjten ndaj Islandës.

“Menjëherë pas përfundimit të Kupës së Kosovës, kemi filluar përgatitjet me përfaqësuesen e Kosovës. Ka qenë një periudhë e shkurtër me trajnerin e ri. Kemi motiv të madh për t’u paraqitur sa më mirë dhe për të triumfuar më në fund ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Shpresojë që palestra të mbushet dhe jam i sigurt që ‘Dardanët’ do të jenë aty për të na dhënë motiv për të fituar një ndeshje që është shumë me rëndësi”, ka thënë Berisha.

Dardanët pas tre ditësh janë mysafirë të Luksemburgut, derisa pjesë e Grupit B është edhe Sllovakia.