Dardan Berisha flet për ndeshjet e Kosovës me Norvegjinë e Danimarkën

Kombëtarja e Kosovës në Basketboll në kategorinë e meshkujve do të përballet me datën 25 nëntor dhe 28 nëntor kundër Norvegjisë dhe Danimarkës në kuadër të ndeshjeve para kualifikuese për “EuroBasket 2025”.

Për këto dy ndeshje ka folur kapiteni i kombëtares, Dardan Berisha. Ai ka premtuar se basketbollistët e Kosovës do të japin maksimumin.

“E dimë rëndësinë e ndeshjeve dhe sigurisht se do të japim maksimumin në këto dy përballje të rëndësishme për ne. Fillimisht do të përballemi me Norvegjinë, kurse më pas takohemi me Danimarkën në Prishtinë, ku shpresojmë përkrahje nga publiku, që na ka munguar shumë, edhe pse do të jetë në numër më të vogël”, është shprehur Berisha për faqen zyrtare të FBK-së.

Ai ka shtuar se është nder të luash për Kosovën dhe shpreson në rezultate pozitive.

“Për ne është nder të luash për vendin tënd dhe shpresojmë në rezultate pozitive në këto dy përballje” shtoi tutje Berisha.

Kosova përballet me 25 kundër Norvegjisë dhe takimi nis nga ora 19:00 ndërsa tre ditë më vonë për nder të ditës së flamurit, me 28 nëntor përballet kundër Danimarkës në Prishtinë.