Karantina nuk e pengon boksieren Donjeta Sadiku në stërvitje

Aktivitet sportive në Kosovë janë pezulluar prej 13 marsit nga Qeveria e Kosovës, si masë parandaluese ndaj coronavirusit.

Me 14 mars, boksierja kosovare, Donjeta Sadiku, e kishte fituar meçin e parë në turneun kualifikues europian për Lojërat Olimpike të cilat do të zhvillohen në Tokio në vitin 2021, pasi janë shtyrë për një vit shkaku i coronavirusit.

Donjeta Sadiku, me 18 mars ishte kthyer nga Londra, së bashku me ekipin Kosovës në boks, duke qëndruar në karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë për 17 ditë, pastaj janë liruar për në shtëpi, pasi testet e tyre kishin dalë negativ për coronavirus.

20 vjeçarja, në një intervistë për KALLXO.com, se si i ka kaluar 17 ditë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

“Po kam qëndruar 17 ditë në qendrën e studentëve, jam munduar që çdo ditë ta kaloj pozitivisht, po ashtu në kushte të dhomës jam munduar që të bëj ushtrime çdo ditë”, ka treguar Sadiku.

Donjeta e cila e përfaqëson Kosovën në boks, thotë se edhe pse është në karantinë, po ndjehet mirë që është afër familjet dhe stërvitjet po i bën më efikase.

“Kurse tasht që po gjendem në shtëpi, po ndihem më mirë, jam afër familjes dhe stërvitjet po mund t’i bëj më efikase, në shtëpi kam sallën për ushtrime, kam kushte për stërvitje dhe gjithçka po shkon mirë”, zbulon kampionia e Europës në boks për kategorinë 54-57 kilogramë.

Karantina ka bërë që Donjeta Sadiku, të përjetojë një rutinë më ndryshe se sa e bëntë të kaluarën kur mund t’i kryente stërvitjet me rregull.

“Disa seanca stërvitore i bëj në mëngjes, disa tjera në mbrëmje, po zhvilloj vetëm një seancë stërvitore në ditë. E kam një rutinë që nuk e kam përjetu me vite, po e them kështu për arsye se gjithmonë gjendem në kampi në gara dhe jam larë familjes. Jam duke e kaluar një kohë shumë të mirë me familje, po ashtu edhe me stërvite jam mirë”, tregon Donjeta Sadiku e cila vjen nga Prishtina.

20 vjeçarja, këto ditë karantinimi po i shfrytëzon që të shikojë seriale dhe filma, ajo për KALLXO.com, ka zbuluar se është duke e shikuar serialin “Lucifer”, dhe filmin “Lion”.

“Jam duke e shikuar Lucifer, është një ndër serialet e mijë të preferuar, ndërsa e kam pa edhe një film i cili quhet Lion, ngjarja e vërtetë dhe më ka pëlqyer shumë”, zbulon nënkampionia e botës për kategorinë 57-60 kilogramë.

Planet e Donjetës, pas karantinimit janë që të takohet me shoqëri dhe të kalojë kohë me ta.

“Shpresoj që së pari ky virus me kalu më shpejt dhe me pas mundësi me u taku edhe me shoqëri dhe me kalu kohë me ta”, ka treguar ajo.

Donjeta Sadiku e përfaqëson Kosovën në boks që 10 vite, prej moshës 10 vjeçare dhe është njëra prej boksierëve më të suksesshme të kohës së pasluftës edhe pse e re në moshë.