Stadiumi i Gjilanit, Foto: KALLXO.com

Fusha në gjendje të rënduar, 'Drita' dhe 'Gjilani' zhvillojnë ndeshjet si vendas jashtë Gjilanit

Këtë fundjavë nis sezoni pranveror në Superligën e Kosovës në Futboll, ndërsa problemet për ‘Dritën’ dhe ‘Gjilanin’ nuk kanë të ndalur.

Përveç që stadiumi i qytetit nuk është ndërtuar ende, tashmë për klubet nga Gjilani ka edhe një problem tjetër.

Drita këtë javë pret në cilësinë e vendasit klubin e ‘Ferronikelit’, por ndeshja që ishte paraparë të zhvillohet në Gjilan do të zhvillohet në një stadium tjetër.

Këtë lajm për KALLXO.com e kanë konfirmuar edhe vetë drejtuesit e klubit nga Gjilani.

“Po është e vërtetë, ndeshjen hapëse të stinorit pranveror do ta zhvillojmë jashtë Gjilanit, për shkak se tapetit të stadiumit i është bërë konservimi në dhjetor dhe ende ka borë, kjo e pamundëson që ndeshja të zhvillohet në Gjilan për shkak se mund të dëmtohet konservimi”, thonë nga klubi i ‘Drita’.

Nga ‘Drita’ thonë se kanë fushë alternative me bari sintetik, por ndeshja aty nuk mund të zhvillohet sepse mungon sistemi i VAR-it.

“Ne e kemi edhe fushën sintetike si fushë alternative, por që në atë fushë nuk mund të zhvillohet një ndeshje kampionale sepse nuk është e kalibruar për sistemin e VAR-it. Ne kemi biseduar me FFK-në dhe kryetarin e Komunës së Gjilanit në mënyrë që të shihet si mundësi që edhe fushat sintetike të pajisen me sistemin VAR”, thonë nga ‘Drita’.

Për ndeshjen kundër Ferronikelit, ‘Drita’ do ta shfrytëzojë stadiumin e klubit ‘Ulpiana’, por që për këtë ata do të paguajnë rreth 2 mijë euro.

“Për ndeshjen me Ferronikelin, ekipi i Ulpianës na ka hapur dyert që këtë ndeshje ta zhvillojmë në Lipjan, ku edhe falënderojë klubin e Ulpianës. Shpenzimet e një ndeshje jashtë qytetit sillen rreth 2 mijë euro”, thotë drejtuesit e klubit ‘Drita’.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe drejtuesit e klubit tjetër nga Gjilanit, ‘KF Gjilani’.

Edhe drejtuesit e ‘Gjilanit’ thonë që nëse fusha nuk përmisohet ndeshja e parë si vendas në stinorin pranveror do të detyrohen që ta luajnë jashtë Gjilanit.

“Ndeshjen e parë si vendas e kemi kundër Dukagjinit, nësë ka kushte për lojë e luajmë në Gjilan, nëse nuk përmisohen kushtet duhet me luajt jashtë Gjilanit”, thonë nga ‘KF Gjilani’.

Si stadium alternativ, klubi i ‘Gjilanit’ ka dy opsione.

“Si stadiume alternative, ne kemi stadiumin në Drenas ose në Lipjan, varësisht sipas kalendarit të Superligës. Ndeshjen e Kupës e kemi luajtur në fushë sintetike”, thonë drejtuesit e klubit futbollistik ‘KF Gjilanit’.

Edhe drejtuesit e ‘Gjilanit’ thonë së udhëtimi jashtë Gjilanit kushton rreth 2 mijë euro.

“Shpenzimet janë shumë të mëdha, na duhet me pagu sigurim ekstra shtesë, shpenzimet mbërrijnë shifrën deri në 2-3 mijë euro”, thonë zyrtarët e klubit të ‘Gjilanit’.

Kallxo.com edhe më heret ka raportuar për gjendjen e fushës në Gjilan.

Video – Gjendja e fushës në Gjilan