Arbër Zeneli e paralajmëron Maqedoninë e Veriut: Sërish vjen marsi

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Arbër Zeneli, ka dhënë sinjale se do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut, e cila luhet në kuadër të ‘play – off’-it në Ligën e Kombeve me 26 mars.

Zeneli i rikthyer nga lëndimi, ka kujtuar legjendën e futbollit Fadil Vokrri, duke shkruar se me 26 mars do të luajnë që ta bëjnë krenar Vokrrin dhe tërë kombin shqiptar.

“Ky gol ishte dedikuar për një person të veçantë! Një person që e çoi futbollin tonë në një nivel tjetër. 26 marsi është dita ku ne mund të bëjmë histori dhe ta bëjmë atë dhe kombin tonë krenar! #sërishvjenmarsi”, ka shkruar sulmuesi i Reimsit në Instagram.

Maqedoni e Veriut – Kosovë luhet më 26 mars në Shkup. Ajo është gjysmëfinalja e Ligës D të Ligës së Kombeve. Në rast se Kosova fiton atë ndeshje, ajo do të përballet më 31 mars me fituesin e duelit Gjeorgji-Bjellorusi për të arritur kualifikimin në “Euro 2020”.