Foto: UNDP

Zgjedhen fotografitë dhe videot më të mira për mjedisin e Kosovës

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Vullnetarët e Kombeve të Bashkuara (UNV) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë sot kanë shpallur fituesit e fushatës “#Eco Kosovo2”.

Kjo fushatë kishte të bënte për mjedisin dhe sipas një komunikate për media aplikuesit kanë dërguar mbi 500 foto dhe 30 video që pasqyrojnë problemet mjedisore që ekzistojnë në Kosovë.

Vendin e parë për fotografinë më të mirë e mori Getoarba Prokshaj, vendin e dytë e mori, Adea Ademi dhe vendin e tretë Ermal Koraqi.

Kurse për videon më të mirë vendi i parë i takoi, Rinor Ramadanit, derisa vendin e dytë Gëzim Hysenaj dhe vendin e tretë e mori Shaip Kçiku.

Me këtë rast, Ulrika Richardson, Koordinatore e OKB-së për Zhvillim, në fjalën e saj përshëndetëse ua rikujtoi pjesëmarrësve situatën e përkeqësuar mjedisore në Kosovë.

“Ndotja mjedisore është një nga problemet më të mëdha që ndikojnë në jetën e njerëzve në Kosovë. Ndotësit e ajrit, së bashku me menaxhimin e dobët të mbeturinave, keqpërdorimi i burimeve natyrore dhe përdorimi i gjerë i tokës pjellore për ndërtim, po kërcënojnë seriozisht shëndetin e kosovarëve, në veçanti të fëmijëve dhe të moshuarve”, tha ajo.

Fatmir Matoshi, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me këtë rast tha se projektet e tilla si kjo ekspozitë dhe këto fotografi e video tregojnë përkushtimin që kanë artistët e rinj ndaj mjedisit.

Kurse, Anne Dostert, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Luksemburgut, gjithashtu foli për ndotjen që po i bëhet mjedisit dhe se është e lumtur që qeveria e saj është pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar gjendjen në Kosovë.

Ekspozita do të jetë e hapur në Bibliotekën në Kombëtare deri më 14 shkurt.