Liburn Aliu - Foto: KALLXO.com

VV: Kosova Lindore të ketë përfaqësim në negociata me Serbinë - Vet refuzon të përfshihet në ekipin negociator

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, partia e të cilit nuk ka pranuar të jetë pjesë e ekipit negociator në bisedimet me Serbinë, në një konferencë për media, ka kërkuar përfaqësimin e Kosovës Lindore në negociata me Serbinë.

Aliu deklaroi se nuk mjafton vetëm tema e Luginës së Preshevës, por duhet të ketë përfaqësues të tyre në dialog.

“Nga Thaçi kemi kërkuar disa herë të bëjë publike parimet e tij si do të bëjë korrigjimin e kufijve. Ai në konferenca në Prishtinë e përmend Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, por këtë temë nuk e përmend me diplomatët perëndimor, ai me ta flet vetëm për taksën”, shtoi deputeti.

Aliu, për këtë çështje e kritikoi edhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Edhe në Draft-Marrëveshjen e kryeministrit Haradinaj për dialogun, nuk përmendet as Kosova Lindore dhe as reciprociteti me Serbinë. Këta po duan të bëjnë bisedime me Serbinë pa përfshirë reciprocitetin, pra në mënyrë të pabarabartë”, theksoi ai.