Aleksandar Vuçiq - Foto: Beta

Vuçiq Zotohet t’i Qetësojë Tensionet me Kroacinë

Të hënën në mbrëmje Vuçiq tha se shpresonte të vizitonte Kroacinë pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi këtë muaj për të përmirësuar marrëdhëniet që u tensionuan nga shpërthimet e retorikës së ashpër pas shpalljes të pafajshëm javën e kaluar të liderit të Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Shesheli, nga gjykata e krimeve të luftës të Hagës.

“Pas zgjedhjeve, një vizitë në Kroaci do të jetë në agjendën time. Do t’i shkruaj liderëve kroatë që të shkoj atje në një vizitë zyrtare, duke qenë se ne duhet të punojmë bashkë,” tha Vuçiq në një intervistë për televizionin beogradas B92.

Megjithatë, Vuçiq akuzoi disa zyrtarë kroatë për “shantazh të paarsyeshme”, të cilët sugjeruan se Zagrebi mund të pengonte procesin e anëtarësimit të Beogradit në BE, nëse Serbia nuk bën më shumë për të mbrojtur pakicën e saj kroate për të ndjekur penalisht krimet e luftës nga vitet 1990.

Vuçiq tha se kërkesat e tilla nga Zagrebi ishin “të pamundura”.

“Ka gjëra që mund t’i ndryshojmë dhe ka gjëra që s’mund t’i ndryshojmë dot. Por Kroacia nuk duhet të na mbajë çdo ditë leksione,” tha ai.

Ministri kroat për integrimin në BE, Miro Kovaq, tha të dielën se vendi i tij do të kërkojë që Serbia të ndryshojë ligjin e saj për ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe bëri thirrje për më shumë të drejta për pakicën kroate.

“Ne duam që e gjithë kjo të jetë pjesë e negociatave me BE-në dhe të përmbushet gjatë procesit të negocimit. Në të kundërt, kapitulli i negociatave nuk do të mbyllet,” tha Kovaq në një intervistë për agjencinë austriake të lajmeve APA.

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, tha se Seria ishte gati të bisedonte në lidhje me këtë çështje, por nuk do të nxitej.

“Ne jemi gati t’i zgjidhim problemet nëpërmjet dialogut, por nuk jemi gati për shantazh, sidomos nga Kroacia, duke pasur parasysh se Kroacia nuk mund t’i mbajë leksione Serbisë për të drejta pakicash duke pasur parasysh atë që ka përjetuar populli serb gjatë 10 apo 20 viteve të fundit, pa përmendur Luftën e Dytë Botërore,” tha Daçiq për Radio Beogradin ditën e hënë.

Ka pasur një stuhi retorike antagoniste që kur Gjykata e Hagës shpalli të pafajshëm Sheshelin për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të tjera gjatë luftërave në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi.

Kroacia e ka ndaluar Sheshelin të hyjnë në vend për 20 vitet e ardhshme.

Megjithatë, ditën e hënë Shesheli paraqiti një kërkesë për t’u pajisur me pasaportë dhe tha se ka në plan të vizitojë edhe Zagrebin dhe Sarajevën në muajt e ardhshëm.

Çështjet e krimeve të luftës kanë vazhduar të përkeqësojnë marrëdhëniet midis Beogradit dhe Zagrebit.

Herën e fundit që ndodhi një mosmarrëveshje e ngjashme mes të dy vendeve muajin e kaluar, një deputet i lartë gjerman ndërhyri për t’i nxitur ata “të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre bilaterale”.

Kovaç tha në mars se Kroacia donte që Serbia të respektojë të drejtat e pakicave, të bashkëpunojë plotësisht me gjykatën e krimeve të luftës në Hagë dhe të heqë dorë nga pretendimi i saj të ketë juridiksion për të ndjekur penalisht krimet e luftës në të gjithë territorin e ish-Jugosllavisë dhe paralajmëroi përsëri se Zagrebi mund të pengojë procesin e anëtarësimit të Beogradit në BE.

Por kreu i komitetit të parlamentit gjerman për çështje europiane, Gunther Krichbaum, tha se ishte “e papranueshme kur vende të BE-së përdorin pozitën e tyre për interesat e tyre në kurriz të BE-së dhe Serbisë në këtë rast”.