Vuçiq Pret t’i Fitojë Zgjedhjet në Kosovë

I pari i Qeverisë së Serbisë do e vlerësojë mossukses të tij dhe të listës të cilën ai e udhëheq nëse nuk i fiton të paktën 50 për qind të votave të serbëve të Kosovës.

Në ditën kur dha shumë premtime për serbët, përfshirë investimet në “Trepçë”, dhe interesimin e shtuar të Qeverisë së Serbisë për serbët e Kosovës, Vuçiq nuk harroi edhe t’u kërkojë votat.

“Do ta konsiderojmë si mossukses çfarëdo rezultati zgjedhor në Kosovë më të vogël se 50 % të listës të cilën e udhëheqim”, ka deklaruar Vuçiq gjatë vizitës në manastirin e Banjskës.

Gjatë kësaj vizite ai ka kumtuar edhe lajmin për vendimin, i cili tashmë është marrë sipas tij, për ndërtimin e një fabrike të akumulatorëve në Zveçan, e cila do të punësonte 201 deri në 220 punëtorë.

p2 p3 p4 p5 p6 p7

Në  takimin me zyrtarët e manastirit dhe pjesëtarët e tjerë të komunitetit serb, Vuçiq ka folur për pritjet e tij për zhvillimin e këtij manastiri.

Ai  ka thënë se pret që në këtë manastir duhet të riaktivizohen pishinat dhe burimet e ujit termal e po ashtu veprimtaria e prodhimit të birrës dhe birrës me mjaltë.

Si në shumicën e deklarimeve të tij gjatë ditës së sotme, Vuçiq nuk e ka lënë pa e përmendur edhe “Trepçën” dhe liqenin e Ujmanit.

Këtë radhë ai ka komentuar deklaratat e kryeministrit Isa Mustafa se për këto dy tema nuk do diskutohet në Bruksel. “Është e drejtë e Isa Mustafes të mendojë kështu, por është qëndrim i Qeverisë së Serbisë që të gjitha çështjet të tejkalohen përmes bisedimeve dhe dialogut”, ka thënë Vuçiq.

Pritjet e këtij të fundit janë që edhe marrëveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe do të jetësohet nga Qeveria e Kosovës.  “Ne gjithmonë e respektojmë fjalën e dhënë, e lëre më nënshkrimin”, ka theksuar Vuçiq.

Ai ka thënë se 6 nga 15 pikat e Marrëveshjes së Brukselit kanë të bëjnë me Bashkësinë e Komunave Serbe. Kjo, sipas tij,  përbën 40% të Marrëveshjes.

“Unë besoj që bashkësia ndërkombëtare do ta respektojë veten, ngase kjo Marrëveshje është arritur ne praninë dhe me ndërmjetësimin e tyre”, ka thënë Vuçiq.