VIDEO: Statuja në Suedi e djalit nga Drenica

Vitin e kaluar, Gëzim Dervishi nga një fshat i Drenasit, bëri 3 mijë kilometra për të shkuar në Suedi që ta vizitojë një statujë, e cila ishte bërë në bazë të një fotografie të Gëzimit atëherë 8-vjeçar, si refugjat që kishte ikur nga lufta në Kosovë.

Ai tani punon kamerier në një kafene në Fushë-Kosovë.

“Prej masakrës së Vërbovcit neve na kanë dëbuar me autobus në Maqedoni. Kam qenë në kampin e refugjatëve në Stankovec. Dhe aty bënin aplikime për të shkuar në shtete perëndimore… unë kam qëndruar në Suedi 4 vjet. Statuja është bërë për shkak të asaj fotografisë. Fotografia është bërë më 2001. Ajo foto pasqyron ndjenjën time, trishtimin tim për shkak se shteti suedez nuk ma ka pranuar kërkesën për azil. Statuja nuk e përfaqëson vetëm veten time si refugjat i luftës në Kosovë por i përfaqëson vuajtjet e krejt popullit të Kosovës”, thotë Gëzim Dervishi.

Vitin e kaluar, Gëzimi e vizitoi për herë të parë statujën.

“Në dhjetor 2018 më në fund ia arrita qëllimit që të shkoj ta vizitoj pas sa e sa përpjekjeve. Kam pasur shumë emocione. Për disa minuta nuk kam mund as ta prek, as të flasë”, tregon ai.

Gëzimi, tani baba i dy fëmijëve, thotë se do të dëshironte të jetonte në Suedi. (REL)