Thaçi për Dialogun me Serbinë: Të Përmbyllen Punët

Në konferencën në lidhje me fazën finale të bisedimeve me Serbinë Presidenti Hashim Thaçi tha se marrëveshja ligjërisht e obliguar duhet të nënshkruhet sivjet.

“Urgjenca për neve dhe Brukseli është që ky vit të jetë korniza kohore për nënshkrimin e kësaj marrëveshje. Për neve kjo marrëveshje është për njohjen e Kosovës nga Serbia dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve”, tha Thaçi.

Ai tregoi çfarë nënkupton marrëveshja ligjërisht e obligueshme mes dy shteteve.

“Kjo marrëveshje do të mundësonte njohjen e Kosovës nga 5 shtete e BE-së, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare”, tha Thaçi.

Ai parashikoi bisedime të vështira në këtë fazë.

“Pyetja është a do të jetë e gatshme Serbia për këtë dhe çfarë kushte do të kërkojë ajo. Rreziku më i madh i mundshëm është moskryerja e këtij detyrimi”, tha Thaçi.

Presidenti deklaroi se punët e pakryera me Serbinë duhet të përfundojnë.

“Në politikën dhe shoqërinë kosovare ka bindje që duhet të përmbyllen punët e papërfunduara. Përmbyllja e dialogut me Serbinë me marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme është interes nacional që nuk njeh vijat ndarëse opozitare apo qeveritare”, tha Thaçi.

Për të nuk duhet të vazhdojë status quo-ja dhe as ngrirja e marrëdhënieve Kosovë- Serbi.

“Kanë kaluar 20 vite nga lufta jonë, 19 vite nga konferenca paqes në Rambuje, 10 vjet nga Pavarësia e Kosovës, 7 vite nga fillimi i bisedimeve në Bruksel dhe ende marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë ende nuk janë të përmbyllura”, tha Thaçi.

Konferenca në lidhje me fazën finale të dialogut u organizua nga Instituti Kërkimor për Çështje të Europiane dhe të Zhvillimit në bashkëpunim me Grupin për Hulumtim të Politikave në Ballkan.