Kryeprokurori i Mitrovicës Shyqyri Syla

Syla: Jemi Viktima të Moszbatimit të Marrëveshjes së Drejtësisë

Shyqyri Syla, kryeprokurori i Mitrovicës i ka konsideruar veten dhe të tjerët që punojnë në këtë prokurori viktima të marrëveshjes së pazbatuar për drejtësi.

“Mund të them se jemi viktimë e kësaj marrëveshjeje për momentin (marrëveshja për fushën e drejtësisë në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë)”, tha Syla në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” të transmetuar të premten.

Kjo prokurori që nga shkurti i vitit 2008 funksionon në Vushtrri, pasi disa ditë pas shpalljes së pavarësisë punonjësit  e saj u dëbuan dhunshëm nga objekti i gjykatës në Mitrovicën Veriore.

Syla tha në emision se për të ndryshuar diçka në funksionimin e prokurorisë duhet që asaj t’i krijohen kushte normale për punë.

“Për nëntë vite ne jemi këtu në Vushtrri dhe punojmë në kushte mizërie”, deklaroi Syla.

Punonjësit e prokurorisë nuk u vendosën në një objekt të marrë me qira në veri të vendit pasi marrëveshja për drejtësi e nënshkruar në Bruksel nuk nisi të zbatohej gjatë janarit ashtu si ishte paraparë.

“Pa realizimin e marrëveshjes për fushën e drejtësisë të arritur në Bruksel nuk besoj se do vendosemi  në objektin e marrë me qira. Data e fundit ka qenë 17 janari, nuk është realizuar”, tha Syla.

Deklaratat e Sylës për kushtet e punës në prokurori dhe moskthimin në veri mund t’i ndiqni në vazhdim.

Në “Drejtësia në Kosovë” edhe kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë Ali Kutllovci tha se nuk e di se kur stafi i kësaj gjykate do të kthehet në objektin në Mitrovicën Veriore.

http://kallxo.com/kutllovci-nuk-e-dime-kur-vendosemi-ne-gjykaten-e-veriut/

Krypometri, produkti i KALLXO.com që mat vërtetësinë e deklaratave publike, i konsideroi gënjeshtra fjalët e ministres për Dialog Edita Tahiri se marrëveshja për drejtësi do të fillojë të zbatohet më 10 janar.

Rrena e Kryptë për Marrëveshjen për Drejtësi