Sulmi ndaj gruas rome: AGK kërkon nga mediat t’u përmbahen kritereve profesionale dhe etikës së gazetarisë

Pas sulmit të dytë ndaj gruas rome sot në Ferizaj, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj, lidhur me publikimin e lajmeve të paverifikuara, të cilat sjellin pasoja si në rastin e gruas, për të cilën u raportua si e “rrezikshme” dhe që “po kidnapon fëmijë”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka theksuar se kjo formë e raportimit, është shkelje e të drejtave të njeriut dhe në kundërshtim me standartet profesionale gazetareske dhe me Kodin e Etikës.

“AGK kërkon nga kolegët gazetarë që në raste të ndjeshme si kjo, por edhe në raste të tjera t’u përmbahen kritereve themelore profesionale dhe etikës së gazetarisë, që fillimisht të hulumtohen faktet, të kontaktohen organet përgjegjëse dhe pastaj të plasohen lajme.”, thuhet në reagim.

Tutje AGK ka deklaruar se e kuptojnë rolin e medieve online, për të plasuar informacione të shpejta dhe me përmbajtje sensacionale, por sipas tyre, kjo nuk nënkupton mos respektimin e parimeve bazë të profesionit, e që gazetarët kanë një përgjegjësi ndaj audiencave të tyre.

“Besojmë se ky shqetësim i yni do të kuptohet qartë dhe drejtë nga të gjithë kolegët gazetarë dhe do të ju ndihmoj në një raportimin sa më profesional, përfshirë edhe mediet online.”, është thënë më tej në reagimin e AGK-së.

Gruaja rome e cila u sulmua para dy dite në Lipjan, është sulmuar përsëri, kësaj here në Ferizaj.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, ka dalë me një deklaratë për të sqaruar se gruaja e komunitetit rom, e cila po sulmohet nga qytetarët, është verifikuar nga policia dhe se pretendimet për rrëmbim fëmijësh nuk qëndrojnë.

https://kallxo.com/sulmi-ndaj-gruas-rome-arrestohet-nje-i-mitur-ne-ferizaj/

https://kallxo.com/policia-e-kosoves-gruaja-rome-nuk-eshte-e-perfshire-ne-asnje-vjedhje/

https://kallxo.com/sulmohet-perseri-gruaja-rome-kesaj-here-ne-ferizaj/