Studentët prezantojnë punimet rreth kulturës, historisë dhe traditës brenda komunitetit

Studentët e Fakultetit Filologjik të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze kanë mbajtur konferencën e 5-të me radhë me temë dialog me të kaluarën: Eksplorimi i kulturës, historisë dhe traditës brenda komunitetit.

Kjo konferencë po organizohet për vitin e pestë me radhë nën udhëheqjen e profesoreshës së gjuhës angleze Blerta Mustafa.

Rreth 50 studenteve të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze u është ndarë detyrë nga profesoresha Blerta Mustafa që të përzgjedhin një temë me qëllim të shpërfaqjes së të kaluarës nga historia, tradita dhe kultura brenda komunitetit tonë.

Ditën e hënë në ambientet e Fakultetit Filologjik, studentët e departamentit të gjuhës dhe letërsisë angleze të ndarë në grupe kanë prezantuar temat e tyre secili me radhë.

Secili grup ka qenë i përbërë nga dy deri në tre student, të cilët kanë bashkëpunuar së bashku në realizimin e këtyre temave të cilat kanë qenë të pasqyruara në video të shkurtra.

Këto tema/histori të shkurtra janë prezantuar në formë të video incizimeve dhe kanë qenë të transkriptuara në gjuhën angleze.

Videot që u prezantuan para publikut kishin të bëjnë me tema si: harmonia fetare në Kosovë, ushqimet tradicionale, roli i doktorëve dhe infermierëve gjatë luftës në Kosovë, të burgosurit politik të viteve të 90-ta, gratë e Krushës, gjakmarrja-falja e gjakut, sofra shqiptare, ramazani, bajrami, darka e lamës, filigrani, refugjatët etj.

Secila nga këto tema të prezantuara nga studentet treguan histori të ndryshme me anë të të cilave përçuan mesazhe tek publiku.

Organizatorja e kësaj konference profesoresha e gjuhës angleze Blerta Mustafa tha për KALLXO.com se qëllimi i organizimit të kësaj konference është vetëdijesimi i të rinjve lidhur me të kaluarën e vendit tonë.

Ajo tha se përmes temave të cilat i punojnë, studentet kanë mundësi të mësojnë më tepër për të kaluarën.

“Qëllimi është që tu japim mundësinë studenteve që të mësojnë më tepër jashtë klasës por gjithnjë duke pasur parasysh temat të cilat kanë të bëjnë me kulturën, historinë dhe gjuhën shqipe dhe arsyeja se pse i kam kombinuar këto është që për shkak se çdo vit e më tepër kur bisedojë me studentet e shoh se për një histori e cila ndonëse nuk është aq e largët këta nuk i kanë njohuritë ndoshta as bazike”, u shpreh profesoresha Blerta Mustafa.

Ajo më tej tha se për realizimin e këtyre temave studenteve u duhet të intervistojnë persona më të vjetër në moshë të cilët u tregojnë atyre për të kaluarën.

Sipas profesoreshës Mustafa kjo është mënyra më e mirë që studentët të mësojnë më tepër për të kaluarën si dhe këto video të mbetën si dëshmi për gjeneratat e ardhshme.

“Kjo në njëfarë mënyre me ka shtyrë që t’i inkurajoj dhe e kamë marrë konceptin e historive gojore përmes së cilave i inkurajoj studentet të shkojnë të bisedojnë me njerëz më të moshuar të cilat i kanë përjetuar historitë e ndryshme që ata t’i ndajnë gojarisht me gjeneratat e reja e pastaj këto gjenerata pasi të bëjnë intervistat të cilat i punojnë nëpër grupe, të krijojnë video të ndryshme me qëllim që të mbetet ajo dhe ta ndajnë edhe me të tjerët”, tha profesoresha Blerta Mustafa.

Yllka Bujupaj njëra nga studentet pjesëmarrëse në këtë konferencë tha se harmonia mes feve në Kosovë përkatësisht asaj islame dhe katolike është një gjë e cila ka ekzistuar gjithmonë dhe vazhdon të ekzistojë, e lidhur me temën për të cilën ka punuar ajo tha se gjatë kësaj kohe ka fituar njohuri të reja dhe është vetëdijesuar më tepër lidhur me tolerancë ndërfetare.

“Personat të cilët i kemi intervistuar jo vetëm që na pasuruan me ngjarje sa i përket kësaj teme por edhe na vetëdijesuan sa i përket mënyrës se si një person duhet të sillet me dikë që i takon fesë tjetër”, u shpreh studentja Yllka Bujupaj.

E studentja tjetër Artë Prebrezaj tregoi për vështirësitë në të cila tha hasën gjatë realizimit të projektit lidhur me temën e të burgosurve politikë gjatë viteve të 90-ta.

“Sa i përket intervistave, tema ka qenë shumë e ndjeshme pasi që intervistuesit kanë hasur në vështirësi gjatë rrëfimit të torturave të cilat i kanë përjetuar pasi që ka pasur raste kur janë emocionuar tepër dhe kanë filluar të qajnë”, tha studentja Artë Prebrezaj.

Ajo po ashtu shtoi se gjatë punimit të kësaj teme ka mësuar më tepër për masakrën e Dubravës dhe për torturat nëpër të cilat kanë kaluar të burgosurit shqiptar në atë burg.

Ndërsa studentja Diellza Iberdemaj tregoi se grupi i saj e ka përzgjedhur temën “Doktorët dhe infermierët gjatë luftës në Kosovë (1999)”, pasi që siç tha ajo si gjeneratë e pas luftës shumë pak kanë qenë në dijeni për rolin dhe kontributin e doktorëve edhe infermierëve gjatë luftës në Kosovë.

“Tema e projektit ka qenë: doktorët dhe infermierët gjatë luftës në Kosovë (1999). Arsyeja pse e kemi zgjedhur ketë temë është sepse ne jemi gjeneratë e pas luftës dhe nuk kemi mundur ta përjetojmë luftën por jemi rritur me tregime të tmerrshme për të. Por asnjëherë gjatë këtyre tregimeve nuk janë përmendur doktorët dhe infermierët që në mënyrë vullnetare kanë ofruar shërbimet e tyre për popullin dhe ushtarët e UÇK-së, duke rrezikuar jetët e tyre”, tha studentja Diellza Iberdemaj.

Iberdemaj deklaroi se në realizimin e këtij projekti kanë punuar 15 javë dhe se realizimi i temës ishte një sfidë në vete.

“Që nga momenti që e kemi zgjedh këtë temë kemi filluar kërkimet për të gjetur infermierët dhe doktorët. Hasja në kontakt me ta dhe arritja që t’i bindim të bëhen pjesë e projektit ka qenë mjaftë e vështirë. Gjithashtu pyetjet që i kemi krijuar, realizimi i xhirimeve, editimi dhe montazhi kanë qenë sfidë shumë e madhe për ne, pasi që nuk kemi pasur dijeni aspak se si duhet të bëhen. Kemi punuar intensivisht për 15 javë, kemi udhëtuar nëpër vende të ndryshme të Kosovës për të gjetur material dhe për të bërë intervistat dhe në fund kemi nxjerr produktin final që është një video e shkurtër që pasqyron kontributin e punonjësve shëndetësorë para dhe gjatë luftës”, shtoi studentja Diellza Iberdemaj.

Në fund të konferencës secilit student i është ndarë nga një certifikatë për pjesëmarrje.

Por profesoresha Blerta Mustafa tha se kjo nuk është e tëra pasi që pjesë e këtij organizimi është edhe prezantimi i këtyre punimeve në konferencën e shoqatës së mësimdhënësve të gjuhës angleze KETNET, e cila konferencë do të mbahet të shtunën në ambientet e Fakultetit Filologjik, në të cilën konferencë do të marrin pjesë studentet me qëllim të promovimit të punës së tyre.