Edi Rama duke mbajtur një fjalim për të ashtëquajturin ‘bypass’ i Tepelenës, Foto: Reporter.al/ Kryeministria

Si u shpenzuan 160 milionë euro për asfaltimin e rrugëve vitin e kaluar?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bombarduar faqen e tij në Facebook me projekte ndërtimi rrugësh gjatë muajve të fundit, por raporti i realizimit të buxhetit të shtetit i vitit 2017 tregon se mbi 21 miliardë lekë (mbi 160 milionë euro) u shpenzuan për të ndërtuar segmente të shkurtra rrugore prej pak kilometrash.

Kryeministri Edi Rama prej javësh ka nisur publikimin e disa videoanimacioneve në faqen e tij në Facebook për të prezantuar projektet e tij për ndërtimin e rrugëve të reja. Sipas publikimeve të Ramës, gjatë viteve të ardhshme, në vendin tonë pritet të ndërtohen disa rrugë të rëndësishme, si Rruga e Arbrit që lidh Tiranën me zonën e Dibrës, një segment 21 kilometra autostradë për të lidhur autostradën ekzistuese Tiranë-Durrës me korridorin veri-jug në vendin e quajtur Thumanë, apo një rrugë e re me dy korsi që duhet të lidhë segmentin ekzistues Levan Tepelenë me qytetin e Sarandës duke dubluar dhe shkurtuar rrugën ekzistuese që kalon nga Qafa e Muzinës.

Por ndërsa projektet e reja janë të shumta, pyetja që ngrenë shumë shqiptarë është çfarë është bërë me paratë publike të ndërtimit të rrugëve gjatë viteve të shkuara.

Shqipëria pati një fond investimesh publike prej 68 miliardë lekësh (527 milionë eurosh) gjatë vitit 2017. Fondi i investimeve ka qenë në përmasa të tilla përgjatë të pesë viteve të fundit por objektet e realizuara me këto shpenzime në rendin e mbi 2 miliardë eurove janë të vështira për t’u parë.

Një raport i përgatitur nga qeveria për Kuvendin e Shqipërisë në kuadër të “projektligjit për miratimin e buxhetit faktik”, i cili po diskutohet aktualisht, jep disa të dhëna se çfarë është bërë me këtë fond investimi. Raporti është publikuar në faqen e internetit të Kuvendit. Ministritë e ndryshme tregojnë njëra pas tjetrës me një gjuhë hiperpropagandistike dhe jo shumë të kuptueshme se çfarë kanë bërë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thotë se në programin e saj të transportit rrugor fondi i përgjithshëm i investimeve të realizuara ka qenë 12.1 miliardë lekë ose afërsisht 93 milionë euro me burime të brendshme. Këtyre u shtohen edhe 9.2 miliardë lekë investime me kredi të huaja për një total prej 21.3 miliardë lekësh. Këto janë fondet e përdorura si për ndërtim rrugësh, ashtu edhe për mirëmbajtje.

Raporti nis me fjalë të mëdha: “Në programin “Transporti Rrugor” është realizuar objektivi madhor i forcimit dhe integrimit me rrjetin rajonal TEN-T, përmes dyfishimit të numrit të lidhjeve ndërkombëtarë tokësorë me Kosovën, Maqedoninë, Greqinë dhe Malin e Zi”, shkruhet aty.

Më pas vijohet me punët fizike të realizuara. Programi i rrugëve të tipit A2, rrugë me katër korsi, me trotuarë dhe me ndriçim janë shpenzuar gjithsej 4.8 miliardë lekë (rreth 36 milionë euro) dhe sipas raportit, me këto para janë realizuar 4.53 kilometra rrugë. Nga këto, 1.77 km janë “rrugë me katër korsi 2×2) ndërsa 2.76 KM janë rrugë me katër korsi 2×2 me trotuare dhe me ndriçim. Kostoja mesatare e ndërtimit të këtyre rrugëve sipas të dhënave të mësipërme rezulton rreth 1 miliardë lekë për kilometër (8.2 milionë euro).

Sipas raportit, me këto para janë realizuar disa projekte si: “By pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, nga loti 7 deri në lotin 11”, “Rruga Kukës-Morinë Loti 1, dublimi”, “Vendosja e mbikalimeve për këmbësorë në aksin Plepa-Kavajë-Rrogozhinë”.

Po me këto para janë realizuar sipas qeverisë edhe projektet e mëposhtme:

“Unaza e Re e Tiranës, segmenti Komuna e Parisit – Rruga e Kavajës”, “Rruga e Porto Romanos, Durrës Loti 1”, “Nyja lidhëse e rrugës Milot-Lezhë, Rrëshen, Thumanë”, “Unaza e jashtme Tiranë, pjesa verilindore”, “Rikonstruksion segmenti rrugor Kodër-Kamëz Tapizë…etj.”

Qeveria thotë se ka shpenzuar edhe 397 milionë lekë për ndërtimin e rrugëve të tipit B1 për të cilat thotë se janë rrugë me dy korsi. Gjatësia e përbashkët e rrugëve të këtij lloji është 1.91 kilometra me një kosto mesatare prej 208 milionë lekësh për kilometër (1.6 milionë euro). Qeveria rendit katër segmente rrugore ku janë ndërtuar sëbashku 1.91 kilometra me këto para: “Rruga Lushnjë-Berat, loti2+ shtesë punimesh, loti 3 + shtesë punimesh”, “Rruga e Arbërit loti2”, “Rruga Kardhiq-Delvinë loti1, loti 2, loti3” dhe “Rruga Milot-F. Krujë (dublimi i superstradës) loti3”.

Programi tjetër i ndërtimit të rrugëve është ai i rrugëve të llojit C2, për të cilat qeveria thotë se janë “me dy korsi”. Në këtë program janë shpenzuar 1.55 miliardë lekë për 3.94 kilometra rrugë me një mesatare prej afro 393 milionë lekësh për kilometër ose 3 milionë euro. Qeveria rendit shtatë segmente rrugore ku është punuar me këto para: “Rruga kanali i Cukës-Butrint loti1”, “Rruga mbingritja e Viroit dhe hyrja e qytetit Gjirokastër”, “Ndërtimi i aksit Skrapar-Përmet, loti1”, “Ndërtim rrugët paralele superstrada Tiranë – Vorë krahu i majtë (vazhdimi)+shtesë kontrate”, “Rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare”, “Ndërtim mbrojtja nga lumi km 16+200 aksi rrugor Elbasan-Librazhd + shtesë punimesh” dhe “Ndërtim mbrojtja nga lumi km 9+500 rruga e re Milot-Skuraj”. Duke qenë se në të gjitha këto gjashtë segmente rrugore janë ndërtuar gjithsej 3.94 kilometra rrugë, atëherë kjo do të thotë se në secilin prej projekteve qeveria ka ndërtuar 0.65 kilometra rrugë.

Programi tjetër i rrugëve kombëtare me financim të brendshëm është “Rikonstruksioni i Rrugëve”. Këtu qeveria thotë se ka shpenzuar 3.8 miliardë lekë për për sistemimin dhe asfaltimin e 37 kilometrave rrugë, me një kosto mesatare prej 100 milionë lekësh për kilometër ose 780 mijë eurosh. Qeveria rendit tre segmente rrugore ku është punuar me këto para dhe për të cilat thotë se “punimet po vijojnë”: “Riveshje dhe sistemim asfaltim Elbasan-Banjë loti1, loti2, loti3”, “Sistemim asfaltim rruga Tri Urat – Leskovik” dhe “Sistemim asfaltim rrugët lidhëse me bregdetin (Llogara-Sarandë) loti1+shtesë punimesh”.

Përveç fondeve të brendshme të buxhetit, sektori i rrugëve merr financime edhe nga kreditë jashtë vendit. Për këtë, relacioni i buxhetit të shtetit nuk prononcohet, por një raport i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë thotë se financimet totale gjatë vitit 2017 kanë qenë 9.2 miliardë lekë. Për rrugët e tipit A (autostradë me katër korsi), raporti thotë se plani i vitit 2017 është realizuar në masën 131% të planit, për një total prej 5.5 miliardë lekësh (42 milionë euro) me të cilat janë realizuar 0.9 kilometra rrugë.

Edhe për rrugët e tipit B plani është tejkaluar, sipas raportit të ministrisë. Ndërsa ishin planifikuar të ndërtoheshin 5.4 kilometra rrugë, janë ndërtuar 5.9 kilometra me një shpenzim total prej 3.3 miliardë lekësh (rreth 25 milionë euro) me një kosto mesatare prej 600 milionë lekësh për kilometër.

Në total, raporti thotë se janë ndërtuar rreth 10 kilometra rrugë të llojeve të ndryshme me financim të brendshëm dhe 18.9 kilometra rrugë me financim të huaj. Me të 21 miliardë lekët e shpenzuara raportohet të jenë mirëmbajtur e asfaltuar edhe 37 kilometra rrugë./Reporter.al