Shyhrete Berishës i Vdes Vjehrra, Shtyhet Seanca

Seanca e sotme gjyqësore për kontestin rreth shtëpisë së familjes së Shyhrete Berishës në Suharekë është shtyrë për shkak të vdekjes së vjehrrës së saj.

Pikërisht e ndjera ka qenë e planifikuar që të dëshmojë në seancën e sotme.

Bashkë me bijtë e saj, Xhelalin dhe Arbenin, Bahrije Berisha pretendonte se reja e saj Shyhretja, e cila humbi në luftë burrin dhe katër fëmijët, nuk ka të drejtë ta trashëgojë shtëpinë e familjes në Suharekë.

Shyhretja e cila po këmbëngul në këtë të drejtë, tash e shumë vjet është duke ndjekur rrugën ligjore përmes gjykatës për ta marrë shtëpinë.

Avokatët e Xhelal dhe Arben Berishës e kanë njoftuar gjykatën se nuk mund të jenë të pranishëm në seancën e sotme për shkak se kanë rast vdekje në familje.

Të pranishëm në seancë ishin vetëm avokati i Shyhrete Berishës, Naim Qelaj, i cili u njoftua nga gjykatësi Shaban Zeqirja, se seanca e sot nuk mund të mbahet.

“Seanca e sotme nuk mbahet pasi që të autorizuarat e palëve të paditurve e kanë njoftuar gjykatën se nëna e të paditurve Xhelal Berisha ka vdekur dhe për këtë arsye kanë kërkuar që të shtyhet seanca e sotëm dhe të caktohet për një datë tjetër”, tha Zeqirja.

Avokati Qelaj tha për KALLXO.com se ka qenë e pranueshme që të shtyhet seanca.

Ai tha se vdekja e vjehrrës së Shyhrete Berishës nuk ndikon në procesin gjyqësor.

“Nuk ndikon fare në proces, pasi që ka qenë vetëm dëshmitare dhe jo palë në procedurë”, tha avokati Naim Qelaj.

Shyhrete Berisha i ka mbijetuar masakrës së forcave serbe të 26 marsit 1999, në të cilën asaj iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, më i riu prej të cilëve ishte nën dyvjeçar, ndërsa vetë ajo mbeti e plagosur.

Mirëpo, pas luftës, më 2001 ajo nisi një betejë gjyqësore me kunatin e saj, Xhelal Berisha, i cili i mori shtëpinë në të cilën Shyhretja kishte jetuar me familjen e saj deri në ditën e masakrës.

Seanca e ardhshme u caktua me 8 korrik.