Foto: KALLXO.com

Betejat e gjata ligjore të grave kosovare për të realizuar të drejtën në pronë

Qytetarëve të Kosovës po u duhet të presin me vite të tëra për të fituar të drejtat e tyre në pronë. E gjithë kjo si rezultat i zvarritjes së lëndëve në gjykata, e sidomos të atyre të lëmit civil.

Një prej këtyre rasteve është edhe ai i Shukrije Berishës.

Shukrije Berisha ishte martuar me Zeqir Berishën që nga viti 1986 e deri më 2003, kur bashkëshorti vdiq.

Por, krahas dhimbjes së humbjes së burrit të saj, Shukrije Berishës shpejt iu desh të ballafaqohet edhe me një problem tjetër, pasi që e njëjta rrezikonte të mbetej pa kulm mbi kokë.

Menjëherë pas vdekjes së bashkëshortit, Shukrijes iu desh t’i fillojë procedurat ligjore për të gëzuar të drejtën e saj në pronë.

Ndonëse kanë kaluar pothuajse 15 vite që kur Shukrije Berisha ka filluar procedurat ligjore për të realizuar një të drejtë për të cilën po pretendon se i takon, deri më tani nuk ka asnjë vendim përfundimtar nga gjykata.

Qysh në vitin 2005, Shukrije Berisha i ishte drejtuar Gjykatës Komunale në Prishtinë.

Ndonëse kjo Gjykatë fillimisht kishte vendosur në  favor të saj, pas ankesës së palës tjetër në vitin 2011 Gjykata e Apelit e ka kthyer çështjen në rigjykim. E tre vite më pas rasti ka filluar rishtazi.

Procesi i cili rifilloi në vitin 2014 në Gjykatën e Prishtinës përfundoi në prill të 2016-ës.

Por, Gjykata Themelore në Prishtinë ia aprovoi vetëm pjesërisht kërkesëpadinë Shukrije Berishës, duke ia njohur vetëm disa metra katrorë të shtëpisë e të oborrit. Në kërkim të së drejtës siç ajo e kërkon iu drejtua Gjykatës së Apelit.

Por, ndonëse janë bërë pothuajse 15 vite qysh prej fillimit të kësaj beteje ligjore, ky rast ende nuk ka marrë një epilog përfundimtar.

Ditë më parë, KALLXO.com ka drejtuar pyetje në Gjykatën e Apelit për të kuptuar nëse është shqyrtuar ende ankesa e Shukrije Berishës, por nga përgjigja e pranuar kemi kuptuar se edhe ky rast si shumë e shumë raste të tjera po pret në radhën e gjatë për t’u shqyrtuar e më pas për t’u vendosur.

E ndonëse po pret tash e 15 vite për ta realizuar të drejtën të cilën pretendon se i takon, mund të ndodhë që Gjykata e Apelit çështjen ta kthejë përsëri në rigjykim, e Shukrije Berishës do t’i duhet të presë edhe për shumë e shumë vite të tjera me shpresë që kjo çështje të zgjidhet përfundimisht me një vendim përfundimtar të Gjykatës.

Përpos rastit të Shukrije Berishës, KALLXO.com është interesuar edhe për rastin e Shyhrete Berishës.

Ndryshe nga Shukrije Berisha, Shyhrete Berisha në betejën e saj ligjore me kunatin e saj doli fitimtare.

Shyhrete Berisha i ka mbijetuar masakrës ndaj familjes Berisha të 26 marsit 1999 në Suharekë, në të cilën asaj iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, më i riu prej të cilëve kishte më pak se dy vjet, ndërsa vetë ajo mbeti e plagosur.

Mirëpo, pas luftës, më 2001 ajo nisi një betejë gjyqësore me kunatin e saj, Xhelal Berisha, i cili i mori shtëpinë në të cilën Shyhretja kishte jetuar me familjen e saj deri në ditën e masakrës. Në korrik të vitit 2017, KALLXO.com raportoi se si Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, ka vendosur që t’ia njohë të drejtën mbi pronësinë Shyhrete Berishës në bazë të trashëgimisë ligjore, sipas përfaqësimit pas vdekjes së bashkëshortit dhe fëmijëve të saj.

Por të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së shkallës së parë, pala e pakënaqur ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e ndonëse kanë kaluar më tepër se dy vite gjykata e shkallës së dytë ende nuk ka marrë një vendim lidhur me këtë ankesë.

12 Vjet në Kërkim të Drejtësisë për Shtëpinë

Betejën ligjore për njohje të kontributit në krijimin e pasurisë së përbashkët me ish-bashkëshortin, para më shumë se tre viteve e ka filluar edhe Arjeta Gashi.

Arjeta Gashi pretendon se ka kontribuuar në krijimin dhe shtimin e pasurisë përmes punës së saj në KOSTT gjatë 10 viteve. Ajo pretendon se i takon gjysma e një banese e cila ndodhet në Prishtinë si dhe pasuria tjetër e luajtshme e përshkruar në padi.

Paditësja pretendon se kontributi i saj është dhënë përmes përgatitjes së ushqimit për fëmijë dhe për familje, higjienë dhe punë tjera të mirëmbajtjes së familjes së përbashkët.

Në anën tjetër pretendimet e paditëses kundërshtohen nga ish-bashkëshorti, tani i padituri, i cili pretendon se fare nuk është pronar i banesës së pretenduar nga ish-gruaja e tij porse kjo pasuri i takon familjes së tij, nënës, motrave dhe vëllait të tij.

Problemet e saj me gjykatën, Arjeta Gashi i ka rrëfyer edhe në emisionin “Jeta në Kosovë“.

Pas disa seancave të mbajtura dhe pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur që ta refuzonte kërkesëpadinë e paditëses Arjeta Gashi.

Kundër këtij aktgjykimi të gjykatës së shkallës së parë ankesë kishte ushtruar paditësja Arjeta Gashi dhe avokati i saj Musli Abazi për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe zbatimit të gabuar të gjendjes materiale andaj ata kishin kërkuar nga Gjykata e Apelit që ta prishte aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe çështjen ta kthente në rigjykim.

Pastaj Gjykata e Apelit e aprovoi ankesën e paditëses Arjeta Gashi dhe vitin e kaluar çështjen e ktheu në rigjykim.

Pas rigjykimit në tetor të këtij viti Gjykata e Prishtinës ka marrë aktgjykim që të pranohet pjesërisht si e bazuar kërkesëpadia e paditëses Arjeta Gashi, në atë mënyrë që të njëjtës në emër të kontributit për fitimin e pasurisë së përbashkët të fituar me punë gjatë martesës, ish-bashkëshorti i saj të detyrohet t’ia paguajë shumën prej 6 mijë e 912 eurove.

E pakënaqur me këtë vendim të Gjykatës edhe Arjeta Gashi ka ushtruar të drejtën e saj në ankesë.

Por duke pasur parasysh edhe rastet e Shukrije Berishës dhe Shyhrete Berishës, raste të cilat po presin tash e disa vite nëpër sirtar deri sa t’u vijë rendi për t’u shqyrtuar, se sa vite do t’i duhet Arjetës Gashit të presë për të pranuar një përgjigje lidhur me ankesën e saj mbetet të shihet.

Në Konferencën e nëntë vjetore të gjyqësorit të Kosovës, kryetari i Gjykatës së Apelit Hasan Shala kishte thënë se në Kosovë kurrë nuk do të ketë drejtësi të plotë, përderisa nuk rritet efikasiteti në zgjidhjen e lëndëve civile. Sipas tij, zgjidhja e lëndëve në kontestet civile po zgjat me vite dhe se qytetarët janë lodhur nga kjo pritje.

Madje, ai e kishte ftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës që t’i shtojë përpjekjet për të gjetur zgjidhje për mijëra lëndë të pakryera të këtij lloji, duke propozuar që viti 2020 të jetë vit i drejtësisë civile.

Sipas kryetarit të Gjykatës së Apelit mesatarja e zgjidhjes se një rasti civil në Gjykatën Themelore të Prishtinës, si gjykata më e madhe në vend dhe më e ngarkuara, është 1.763 ditë, apo rreth 5 vjet, ndërsa në përgjithësi në krejt gjykatat e Kosovës është 1,121 ditë apo mbi 3 vjet.

Shala shqetësuese e kishte cilësuar gjendjen  edhe në Gjykatën e Apelit, ndonëse sipas tij në të kaluarën në këtë Gjykatë një rast civil ka pritur deri në pesë vjet për t’u zgjidhur, tash më rritjen e numrit të gjyqtarëve kjo kohë është reduktuar në katër, ndërsa kishte deklaruar se synojnë që të rritet efikasiteti edhe më shumë, deri kur një ankesë civile të zgjidhet brenda dy apo tre vjetësh, e që sipas Shalës atëherë kjo kohë do të ishte e përafërt si me vendet e rajonit.

E neve na mbetët të presim me shpresën se kur do të arrihet të përmbushën këto synime, në mënyrë që qytetarëve të vendit të mos u duhet të presin me vite të tëra për ta zgjidhur një çështje gjyqësore por të gëzojnë të drejtën e tyre për një gjykim të drejtë e të arsyeshëm në kohë.