Shënohet dita e shenjtërimit të Nënë Terezës

Në Shqipëri sot shënohet Dita e Shenjtërimit të Nënës Terezë, ditë kjo e cila është caktuar si festë zyrtare në shtetin  shqiptar.

Presidenti shqiptar, Ilir Meta përmes Facebook-ut ka shkruar se Dita e Shën Nënë Terezës është një ditë feste për mbarë shqiptarët dhe botën katolike në tërësi.

“Shën Nënë Tereza, është shembulli i jashtëzakonshëm i dashurisë pa kurrfarë kushti dhe i misionit të pareshtur të përkujdesjes ndaj kujtdo që vuan, pa dallim kombësie, race, feje apo përkatësie shoqërore. Dita e sotme, që shënon kremtimin e Shenjtërimit të saj, është një dite feste, përkujtimi e respekti mbarëkombëtar ndaj veprës humane, hyjnore e të paharruar të Shenjtores sonë”, shkruan ndër të tjerash Meta.

Sipas tij, në shembullin e Shën Terezës, kjo ditë na fton të gjithëve, të hapim horizonte të reja, gëzimi e shprese, mirëkuptimi e dashurie për ata që kanë aq shumë nevojë.

“E bekuara dhe e Shenjta Nënë Terezë, me veprën e saj na fton të ruajmë si sytë e ballit bashkëjetesën dhe harmoninë e pashembullt fetare që kombi ynë ka kultivuar e përsosur ndër shekuj. Me mesazhin e saj nuk duhet të harrojmë se i përkasim njëri-tjetrit. “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Le të na shërbejë kjo porosi e Shën Nënë Terezës, simbolit të çdo nëne shqiptare, si shembull frymëzimi se si njerëzit e zakonshëm, me shumë dashuri, mund të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme për këdo që ka sot nevojë për ndihmë, solidaritet dhe përfshirje sociale”, ka shkruar presidenti.

Më 5 shtator 2016 u shënua në kalendarin Apostol Dita e Shenjtores shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës.

Shën Tereza  lindi në Shkup në vitin 26 gusht 1910.

Emri i saj i lindjes është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Ajo vizitoi Shqipërinë për herë të parë në gusht të vitit 1989.