Rocco Morabito, Foto: CNN

Shefi i mafias italiane arratiset nga burgu në Uruguai

Shef i mafias italiane Rocco Morabito, është arratisur nga një qendër paraburgimi në Uruguaj, ku ishte në pritje të ekstradimit në Itali, ka bërë të ditur Ministria e Brendshme e Uruguait.

Morabito, një anëtar famëkeq i mafias “Ndrangheta” ka qenë një nga personat e arratisur më të kërkuar të Italisë që nga viti 1994, raporton CNN.

 

Morabito u arrestua në vitin 2017 në Uruguai pas më shumë se 20 vitesh në arrati.

I dënuar në mungesë për trafik droge dhe aktivitete të krimit të organizuar në Itali, ai u dënua me 30 vjet burgim.

“Skuadra e drogës” dhe tre të burgosurit e tjerë arritën të dilnin nga Instituti Kombëtar i Rehabilitimit (INR) në Montevideo nëpërmjet një vrime në skajin e ndërtesës vonë një natë të diele.

Sipas ministrisë, kishte grabitur një shtëpi në afërsi para se të ikte.

“Ndër të arratisurit është italian Rocco Morabito, i cili priste për ekstradimin e tij nga drejtësia italiane pasi hetohet për trafik ndërkombëtar të drogës”, thuhej në njoftim.

Interpoli ka lëshuar një alarm të kuq për 4 të arratisurit. Një nga të arratisurit është në pritje të ekstradimit në Brazil, dhe një tjetër në Argjentinë.

Në një publikim në Twitter, ministri i Brendshëm italian Matteo Salvini, tha se ishte shqetësuese që një kriminel si Morabito kishte arritur të arratisej nga një burg në Uruguai, duke pritur që të ekstradohej në Itali.

Autoritetet thanë se Morabito, një prej pesë të arratisurve më të kërkuar të Italisë, hyri në Uruguai në vitin 2001 duke përdorur dokumente të rreme të identifikimit brazilian duke përfshirë një certifikate të lindjes false.

Ai jetonte në një vilë të rehatshme rurale afër qytetit të Maldonado, pranë qytetit turistik të Punta del Este, për rreth një dekadë.

“Kur ishte arrestuar, Morabito kishte 13 telefona celularë, një pistoletë automatike, 12 karta krediti dhe debiti, një sasi të madhe të parave uruguaian dhe 50,000 dollarë amerikane si dhe certifikatat me vlerë 100,000 dollarë”, ka njoftuar Ministria e Brendshme e Uruguait.

Përgatiti: Emirjeta Vllahiu