Rritet Numri i të Prekurve Nga Gripi Sezonal

Situata epidemiologjike në vend është nën kontrollë. Kështu kanë thënë zyrtarë të Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik. Por, sipas tyre nisur nga kushtet klimatike që janë duke mbretëruar gjatë këtyre ditëve ekzistojnë mundësitë të përhapjes së gripit sezonal.

Sipas të dhënave të IKShP-së, nga një tetori deri më 7 janar 2018 janë raportuar mbi 15 mijë raste të prekur nga simptomat e gripit të raportuara në nivel të vendit. Numri më i madh i të prekurve nga gripi sipas të dhënave është në Prishtinë, Prizren dhe Podujevë. Megjithatë raportohet se këto  shifra nuk paraqesin rrezik për ndonjë epidemi.

Në qendrën kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtine shihet numër i shtuar i qytetarëve të prekur nga gripi sezonal, raporton TV21.

Bujar Lila nga kjo qendër ka thënë se simptomat e gripit mund të fillojë papritur dhe nganjëherë zgjasin disa ditë, apo javë.

“Kjo është një sëmundje sezonale që i atakon rrugët e frymëmarrjes në rend të parë, konjunktivat e syve. Përhapet përmes spërkatjeve, apo edhe duarve të papastra, kështu që si këshillë do ishte që qytetarët t`i shmangin vendet të frekuentuara nga numër i madh i qytetarëve, për t`i shmangur infeksionet e mundshme nga gripi sezonal”, ka thënë Lila.

Ai ka shtuar se kujdesë të shtuar duhet të kenë disa kategori të caktuara të qytetarëve. Sipas tij fëmijët, gratë shtatzëna  dhe personat në moshë më të shtyrë, apo personat e prekur nga sëmundjet kronike duhet patur më shumë kujdesë nga ekspozimi i tyre ne vendet e frekuentuara nga numër i madh i qytetarëve.