Naser Kelmendi. Foto: Kallxo.com

Rasti Kelmendi: Akuzat për Kërcënim dhe Blerje të Dëshmitarëve

Kërcënimi dhe blerja e dëshmitarëve janë ndër elementet kryesore të cilat sipas prokurorit Andrew Hudges e kanë përcjellë hetimin ndaj Naser Kelmendit. Ai ka treguar për raste e kërcënimeve të dëshmitarëve. Sipas tij, një nga ta dy herë është qëlluar dhe i njëjti nuk ka hequr dorë nga dëshmia e tij.

“Ajo që ky rast ka paraqitur ka qenë kredibiliteti i dëshmitarëve dhe nga perspektiva ime, dëshmitarët kyç sa i përket pikës së aktakuzës për vrasje nuk kanë qenë perfekt por kanë treguar histori të ngjashme, dhe shumë nga ta mendoj që kanë qenë shumë të guximshëm. Unë nuk kam parë që ata kanë pasur ndonjë gjë të konsiderueshme për të përfituar nga dhënia e dëshmisë. Njëri nga ta është qëlluar në dy raste të ndara dhe gati sa nuk ka vdekur, por ai prapë ka pasur guximin për të ardhur, ai ka qenë një mik i afërt i viktimës, dhe ka shpjeguar të gjitha dëshmitë e ndërlidhura me këtë vrasje dhe asaj se çka ka çuar deri te vrasja”, ka deklaruar prokurori i EULEX-it Andreë Hudges.

Sipas tij, një nga vështirësitë që e kanë përcjellë hetimin e tij ka qenë fakti se dëshmitarët kanë qenë në Bosnje.

“Ka qenë një sfidë shumë e madhe kur na është dhënë ky rast, ngase të gjitha dëshmitë, të gjithë dëshmitarët kanë qenë në Bosnje, në Serbi apo diku tjetër. Unë mendoj që është e rëndësishme që ta përmend se e vetmja arsye se pse ne është dashur të merremi me këtë rast është fakti se nuk ka traktat të ekstradimit në Kosovë. Kjo është qesharake, nëse mund të jem shumë i sinqertë, ngase ky rast i ka takuar Bosnjës”, ka thënë Hudges.

Në anën tjetër, Besnik Berisha, avokat i Naser Kelmendit ka thënë se pretendimet e prokurorisë se janë kërcënuar dëshmitarët do të bien poshtë, pasi që sipas tij ato janë trillime të prokurorisë për t`i mbuluar dështime te tyre. Ai ka deklaruar se pret shumë shpejtë që edhe në Bosnjë të dëshmohet se nuk ka patur intimidim të dëshmitarëve nga ana e z. Kelmendi dhe as nga ndonjë familjarë i tij.

“Nuk ka asnjë dëshmitarë i cili është paraqitur para gjykatës dhe të ketë thënë se është kërcënuar nga z. Kelmendi, ose familja e tij. Kjo është një trillim për të arsyetuar dështimin e prokurorisë. Ajo çfarë është duke ndodhur në Bosnje nuk i atribuohet në asnjë mënyrë z. Kelmendi. Jam i bindur që dëshmitarja që ishte në atë proces ishte tërësisht dëshmitare e dobishme dhe ishte në interes të z. Kelmendi dhe ishte e dobishme të vërtetën…Besoj se edhe në Bosnjë do të dëshmohet se nuk ka ndodhur ai intimidim i dëshmitarëve siç pretendohet”, ka deklaruar avokati i Naser Kelmendit, Besnik Berisha.