Arkiv Revole e konfiskuar nga Policia e rajonit të Prishtinës - Foto: PK

Raportimi në KALLXO.com Zbulon Armën e të Miturit

Një revole është zbuluar në lagjen “Bregu i Diellit” pak orë pasi KALLXO.com njoftoi Policinë për një raportim të pranuar ku pretendohej se i mituri kishte postuar fotografi me armë në rrjetet sociale.

Një qytetar, identiteti i të cilit mbahet i fshehur, kishte njoftuar KALLXO.com se një i mitur ka postuar fotografi tek mbante një revole në dorë.

Me kërkesë të Policisë informacioni është bartur tek Policia, të cilët pasditen e së premtes kanë ndërmarrë një aksion bastisjeje.

Siç shkruhet në raportin e policisë arma është gjetur te babai i të miturit, i cili e ka dorëzuar të njëjtën tek Policia.

Gjatë vitit të kaluar KALLXO.com ka pranuar 1.900 raporte nga qytetarët për keqpërdorime dhe abuzime me pushtetin.

Mbi 70% e tyre janë verifikuar dhe mbi bazën e tyre janë iniciuar dhjetëra raste në Policinë e Kosovës, Agjencinë Kundër Korrupsionit, Zyrën e Prokurorit Disiplinor dhe Prokurorinë e Shtetit.