Qeveria Zgjat Afatin për Faljen e Borxheve

Qytetarë dhe biznese në Republikën e Kosovës do të kenë mundësi të përfitojnë nga ligji për faljen e borxheve edhe për 6 muaj të tjerë.

Afati 1 vjeçar që kishte qenë i hapur u mbyll zyrtarisht sot kur edhe u bënë të ditur rezultatet e këtij ligji.

Ministri i Financave, Abdullah Hoti ka vlerësuar se rezultatet nuk i kanë arritur pritshmëritë e ministrisë.

“Mendoj se rezultatet janë relativisht të kënaqshme, jo komplet ato që i kemi pritur por në javët e fundit ka pasur një interesim të shtuar të qytetarëve dhe bizneseve për të shlyer borxhet dhe për të programuar borxhet e mbetura”, deklaroi Hoti.

Sipas ministrit shuma e falur e borxheve  është mbi 120 milionë euro nga 720 milion total por  ka pasur kërkesa të shumta nga qytetarë që afati të zgjatet në mënyrë që të falen edhe borxhe të tjera.

“Kemi pasur kërkesa të shumta nga qytetarë dhe shoqata të ndryshme, nga Oda Ekonomike e të tjera për të shtyrë  afatin. Jam konsultuar me Kryeministrin Mustafa dhe jemi në pajtim për amendamentim të ligjit për shtyrje të afatit”, tha ministri Hoti.

Në anën tjetër, Kryetari i Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu konsideroi se zgjatja e afatit tregon për bashkëpunimin e frytshëm të ministrisë me sektorin privat.

“Besoj që prolongimi për gjashtë muaj i afatit tregon edhe për gatishmërinë e Ministrisë së Financave për krijimin e një fryme të re për sektorin privat por në të njëjtën kohë duhet të jetë edhe një obligim për ministrinë që të jetë sa më transparentë”,

Ministri Hoti  është zotuar se gjatë javës së ardhshme  do të publikojnë raportet përfundimtare me shifra rreth rezultateve të fuqizimit një vjeçar të ligjit për faljen e borxheve.

Në mënyrë preliminare, Hoti theksoi se një ndër komunat me rezultate më të mëdha në këtë ligj është Gjilani, ndërsa theksoi ligji ka qenë i vlefshëm për të gjitha komunat duke përfshirë ato veriore.