Gjykimi i ish-zyrtarëve të "KosInvest” – Foto: KALLXO.com

Prokurorit i skadon angazhimi në Krimet e Rënda, shtyhet gjykimi i ish-zyrtarëve të ‘KosInvest’

Në mungesë të prokurorit është shtyrë gjykimi ndaj ish-analistit të kredive në institucionin mikro- financiar “KosInvest”, në Lipjan, Astrit Metaj dhe ish-shefit të operativës të këtij institucioni në degën e Prishtinës, Avni Biqkaj, të cilët akuzohen për keqpërdorim detyre.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shadije Gërguri, deklaroi se prokurori Rafet Halimi e kishte njoftuar Gjykatën se i kishte skaduar afati gjashtëmujor që kishte qenë i caktuar në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe se nuk kishte të drejtë të përfaqësonte më lëndën.

Po ashtu gjykatësja Shadije Gërguri njoftoi se ishte pajisur edhe me një vendimin për bashkim të procedurës edhe për lëndë tjera për të akuzuarit.

Pasi në seancën e 23 marsit 2019, i akuzuari Metaj kishte kërkuar nga Gjykata që t’i caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare dhe të bëhet bashkimi i procedurës për lëndët që po zhvillohen ndaj tij në këtë gjykatë.

Por në mungesë të prokurorit, seanca është shtyrë, kurse seanca e radhës pritet të mbahet më 5 korrik.

Sipas aktakuzës të pandehurit Avni Biqkaj dhe Astrit Metaj, më 22 nëntor 2013, në bashkëveprim me qëllim të përfitimit për vete apo për tjetrin kishin nënshkruar, gjegjësisht kishin falsifikuar dokumente.

Tutje në aktakuzë thuhet që si garantues të  pandehurit për dhënien e një kredie kishin futur edhe të dëmtuarin Gani Kadria, fare pa nënshkruar dhe pa qenë prezent i njëjti, me ç’rast kishte përfituar në mënyrë të kundërligjshme Selatin Popova shumën  prej 6.500 euro.

Prokuroria dy të pandehurit i ngarkon me veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.