MInistria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit - Foto: Atdhe Mulla

Prokuroria- Ankesë për Rastin e ish-Ministrave të Kulturës

Prokuroria më datën 7 mars ka paraqitur ankesë për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal.

Sipas ankesës së prokurorisë gjykata e shkallës së parë vërtetimin e gabuar të fakteve e ka bërë kur liroi nga një vepër penale ish-ministrin e Kulturës Astrit Haraqija dhe shpalli të pafajshëm producentin filmik Nehat Fejza.

Prokurorisë nuk i kanë pëlqyer sanksionet penale të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj ish-ministrit Haraqija e Nehat Fejzës, ndërsa në ankesë i konsideron të ulëta dënimet ndaj ish-ministrave Haraqija e Beqiri dhe producentit filmik Armond Morina.

Prokuroria në ankesë i propozoi Gjykatës së Apelit që t’i dënojë Morinën, Fejzën, Haraqijan e Beqirin, ose rastin ta kthejë në rigjykim e rivendosje.

Gjykata Themelore në Prishtinë më datën  1 dhjetor 2015 kishte shpallur aktgjykimin e saj duke dënuar Astrit Haraqijan e Valton Beqirin me nga 10 muaj burg me kusht.

Ata duhet të mos kryejnë vepra penale tjera në afatin prej dy vjetësh, nëse nuk duan të shkojnë në vuajtje të këtij dënimi.

Producenti filmik Armond Morina ishte  dënuar me gjashtë muaj burg efektiv, ndërsa producenti tjetër Nehat Fejza ishte shpallur i pafajshëm.

http://kallxo.com/denime-me-kusht-per-ish-ministrat-e-kultures/

Haraqija e Beqiri akuzoheshin për shpërdorim detyre, ndërsa Morina e Fejza për mashtrim në detyrë.

Haraqija që drejtoi Ministrinë e Kulturës në vitet 2004-2007, më 27 shkurt 2006 kishte nënshkruar kontratë me Nehat Fejzën, pronar i kompanisë “Concordia Pictures”, në vlerë prej 220,000 eurosh.

Ky ministër, më 30 janar 2007, nënshkroi një kontratë tjetër me Armond Morinën, pronar i kompanisë “Morina Films”, në vlerë prej 350,000 eurosh.

Kontratat lidheshin me filmat “Ndjekja e Larës” dhe “Mysafir në sofër”. Producent i të parit ishte Nehat Fejza, ndërsa i të dytit Armond Morina.

Valton Beqiri që drejtoi Ministrinë e Kulturës nga 2008-ta deri në 2010-ën, kishte nënshkruar aneks kontratën me “Morina Films”, duke transferuar 100 000 euro si subvencione për realizimin e filmit “Mysafir në Sofër”.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, ministria nënshkroi kontrata për këta filma në vlerën e 570,000 eurove në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe atë për Kinematografinë.

Aktakuza kundër dy ish-ministrave dhe dy producentëve u ngrit në prill të vitit 2012, ndërsa gjykimi i tyre nisi në marsin e 2014-ës.