Projekti ‘Kultura për ndryshim’, hapet thirrja e dytë për aplikim

Qendra Multimedia ka bërë hapjen e thirrjes së dytë për aplikime për grante, që bëhet në kuadër të projektit “Kultura për ndryshim”, projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Ky projekt implementohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut.

Përmes një njoftimi publik Qendra Multimediale sqaron se qëllimi i thirrjes për aplikim është forcimi i sektorit kulturor si një shtysë për zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës përmes përkrahjes të projekteve të qëndrueshme, dhe aktiviteteve të organizatave kulturore që promovojnë kreativitetin, gjithëpërfshirjen sociale dhe bashkëpunimin.

“Kultura për ndryshim do të implementohet gjatë një periudhe tre vjeçare në fushën e kulturës dhe arsimit në Kosovë”, thuhet në njoftimin qendrës Multimedia.

Po sipas njoftimit, aktivitetet kulturore të propozuara mund të mbulojnë teatrin dhe artet performuese, artet audio-vizuale, kinemanë, fushën e librit dhe botimeve, intervenimet arkitektonike dhe urbane, muzikën, artet vizuale, artizanatet, modën, dizajnin  dhe aktivitetet e tjera ndërdisiplinore.