Princ Leka: Krenohemi me ty Ramush

Princ Leka sot ka reaguar pas dorëheqjes së djeshme të Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit të Kosovës. Leka në llogarinë e tij “Facebook”, duke e vlerësuar familjen Haradinaj ka thënë se trimëria dhe guximi ka qenë dhe është tipari më dallues i familjes Haradinaj.

“Si gjithnjë trimëria dhe guximi ka qenë dhe është tipari më dallues i Familjes Haradinaj dhe kur bashkohen me mençurinë i japin asaj përmasa kombëtare, madje edhe më gjerë, duke u bërë shembull frymëzimi për gjithë politikanët shqiptarë kudo që ata ndodhen”, ka shkruar Princ Leka.

Ai u shpreh se është krenar për Ramush Haradinajn.

“Krenohemi me ty Ramush dhe na rrit ndjenjën e përgjegjësisë për detyrimet që ka çdo shqiptar për Atdheun dhe kombin e tij. ”, ka shkruar ai duke ia bashkangjitur edhe një fotografi ku shihen Princi Leka dhe Ramush Haradinaj me bashkëshortet.

Ramush Haradinaj dje e mori vendimin për dorëheqje nga posti i kreut të Qeverisë me arsyetimin se është ftuar nga Gjykata Speciale në Hagë./21Media