Deputeti i PDK-së ftohet për intervistim nga Gjykata Speciale

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica ka marr ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale.

Këtë e ka bërë të ditur, bashkëpartiaku i tij Agim Aliu.

KALLXO.com ka provuar të marr një qëndrim edhe nga vetë deputeti Reçica, por i njëjti ka qenë i paqasshëm përmes telefonit.

Kurse, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se PDK-ja në këtë komunë dhe mbarë Kosova është prapa luftës së lavdishme çlirimtare dhe Reçicës.

“Ftesa për intervistë nga Gjykata Speciale për deputetin e Kuvendit të Kosovës, njëherit Eprorin e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Elmi Reçica do të nxjerr një dhe vetëm një të vërtetë, atë të guximit e dashurisë për atdheun, luftës sonë për lirinë në çdo pëllëmbë të tokës stërgjyshore, idealit të kristaltë të djemve e vashave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që me gjakun e sakrificën e tyre bën ëndrrën e lirisë, realitet”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, thirrjen nga Specialaje për Recicën e ka konfirmuar edhe Hysni Gucati nga OVL-ja e UÇK-së.

“Nga Gjykata Speciale janë ftuar dy bashkluftëtarët Elmi Reçica dhe Xhevahir Geci, dy burra të cilët ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimitarë të Kosovës nga orët e para të saj, të cilët me trimërinë e tyre i sherbyen me së miri atdheut të tyre, dhe ishin shembull se si luftohet për liri dhe atdhe, çdo herë jemi përkahë jush, ndihemi krenar me veprat dhe sakrificën e çdo ushtari të UÇK-së, të cilët dhanë shembull si luftohet për vendin e tyre!”, ka shkruar ai në Facebook.

Gjykata Speciale ka dërguar ftesë për intervistim për shumë figura publike dhe drejtues të institucineve të Kosovës, si për kryeministrin në detyrë Ramush Haradinajn dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin.

Ndërkaq, deri më tash nga kjo gjykatë nuk është ngritur asnjë aktakuzë.

Gjykata Speiale është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, për të gjykuar krimet që pretendohet se janë kryer nga shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë.